Lenjani: Duriqi, ka pësuar thyerje të ashtit të hundës dhe të nofullës së sipërme

Mbrëmë në orët e vona të natës është sulmuar fizikisht gazetari i njohur hulumtues dhe autori i emisionit Indoks, Visar Duriqi nga tre persona të panjohur.

Tre persona e kishin pritur gazetarin Duriqi, para hyrjes së banesës së tij.  Ai është sulmuar posa ka dalë nga vetura e tij.  Pas sulmit, policia dhe ambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mbrëmë është dërguar në QKUK për trajtim.

Basri Lenjanin nga Klinika Emergjente në QKUK, ka  dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të gazetarit Visar Duriqi.

Ai tha se ka pasur thyerje të ashtit të hundës, dhe të nofullës së sipërme i shoqëruar më plagë.

“Pas trajtimit mjekësor në klinikën emergjente dërgohet për trajtim të më tutjeshme për në shtëpi, ka pësuar thyerje të ashtit të hundës, dhe të nofullës së sipërme, ku ka qenë i shoqëruar me plagë”, ka thënë Basri Lenjanin nga Klinika Emergjente për Periskopin.

Ndërkaq zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se në bazë të informacioneve të para, dyshohet se tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka deklaruar Borovci, transmeton Insajderi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *