Mirë që po dënohet Mijallkovi, keq që s’po dënohet për zullumin ndaj shqiptarëve

Fejzi HAJDARI

Advertisement

Edhe pse nuk është në nivel që e meriton, dënimi prej 12 viteve për Sasho Mijallkovin është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Mirë që po dënohen Mijallkovi e Jankullovska, por keq që nuk po dënohen për zullumet ndaj shqiptarëve, që ndodhën në kohën e tyre.

Shumë mirë që Sasho Mijallkovi mori 12 vite burg, Jankullovska edhe 4 vite shtesë, kurse u dënuan edhe bashkëpunëtorët e tyre. Por, keq që asnjëri prej tyre nuk u gjykua, e as dënua, për involvim të mundshëm në rastin e Harun Aliut me shokë, për rastin “Gjorçe Petrovin”, për “Monstrën”, “Lagjen e Trimave”…

Keq që nuk po zbulohet roli i Mijallkovit dhe Jankullovskës në këto raste, aq shumë i përfolur si në opinionin e këtushëm, poashtu edhe tek ndërkombëtarët në Maqedoni.
Edhe më keq që ende po mbijetojnë “jaranat” shqiptarë të Mijallkovit, Gruevskit, e Jankullovskës.

Mesazhi është i qartë – në këtë vend dënohet krimi dhe zullumi vetëm në pjesën e shtetit të banuar me maqedonas. E në pjesën shqiptare çka të donë le të bëjnë, bile sa më shumë krim e korrupsion, aq më mirë. Me rëndësi që krimi të mos kalojë kufirin te Ura e Gurit në Shkup, te “Garnizoni” në Kumanovë, apo te “Cetinska” në Tetovë. Sa për Çair, Saraj, Haraçinë, Likovë, Tetovë, e gjetiu, jo që ta pengojnë institucionet krimin, por kur të ju jepet mundësia bile ta ndihmojnë nga pak. Se me i liru shqiptarët prej krimit, pastaj i kërkojnë të drejtat e tyre politike dhe njerëzore që u takojnë. E kërkojnë hisen buxhetore që u takon etj. Kjo nuk guxon të ndodhë.

Prandaj, t’i zhysim në krim e korrupsion, që mos t’u shkojë mendja as për të drejta politike, as për të drejta njerëzore, por vetëm si të ikin jashtë vendit.

Advertisement

Leave a Reply