
Pjesëmarrësit në protestën e sotme për rastin “Monstra”, por edhe policia po tërhiqen nga lokacioni Bit Pazar. Deri këtu arritën protestuesit, të cilët pas vlerësimit policor për incidente të mundshme u parandaluan që të kalonin rrugën e planifikuar më parë – nga parku në Çair, tek Gjykata, para Qeverisë, ku fillimisht kishin planifikuar të bënin deklaratat, transmeton Fokus.mk.
Situata është e qetë për momentin, protesta ka mbaruar. Organizatorët, pasi paraqitën kërkesat e tyre në lidhje me “Monstra”, por edhe për çështje të tjera gjyqësore dhe pasi disa nga protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë, e shpallën protestën të mbaruar.
Disa protestues refuzuan të tërhiqeshin dhe vazhduan të hedhin objekte të ndryshme në kordonin e policisë. Individë nga protesta, disa prej tyre të maskuar, u përpoqën që të provokojnë incidente. Ekipi i MIA-s u sulmua në protestë, pas së cilës transmetimi direkt u ndërpre përkohësisht.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, shtatë pjesëtarë të policisë janë plagosur në incidentet e sotme. Protestuesit në një moment ishin në një distancë prej njëqind metrash nga kordoni i policisë, në vendndodhjen e Bit Pazar. Kordoni i policisë u bënte shtypje protestuesve, të cilët kërkonin që policia të lirojë shtegun për të arritur tek gjykata dhe qeveria. Për të shpërndarë demonstruesit policia përdori edhe shok bomba.
Në deklaratat e tyre, organizatorët e protestës kërkuan që ekspertët ndërkombëtarë të rishikojnë rastet e “Monstra”, “Almir”, “Alfa”, “Harun Aliu”, “Brodec” dhe të tjerë, ndërsa disa prej tyre i kërkuan udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti të largohej nga Qeveria.
“Meqenëse asnjë qeveri nuk po ndërmerr ndonjë veprim për këto çështje, ne mund t’i drejtohemi vetëm institucioneve ndërkombëtare,” thanë protestuesit.
Deputeti Allternativës, Skender Rexhepi u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të qetë dhe u zotua se do të bëjnë gjithçka që është e mundur si ligjvënës për të “siguruar drejtësinë në këto raste”. Ish Nënkryetari i Parlamentit Hysni Shaqiri gjithashtu u kërkoi protestuesve të qëndrojnë të qetë.
Protesta u organizua për shkak të pakënaqësisë së familjeve të të pandehurve në çështjen “Monstra” pas shqiptimit të dënimeve të përjetshme për të pandehurit Alil Demiri, Afrim Ismailovic dhe Agim Ismailovic, dënimi i vetëm me 15 vjet për të pandehurin Fejzi Aziri dhe dënimi prej 9 viteve për Haki Azirin, të akuzuar për vrasjen e pesë personave në Liqenin e Smilkovës më 12 prill 2012. Vetëm i akuzuari, Sami Ljuta, u la i lirë./Fokus.mk