AAK e gatshme të bashkëpunojë edhe me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj është deklaruar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mbrëmë vendosi pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Advertisement

Lekaj në prononcim, duke e komentuar vendimin e gjykatës ka thënë se secila parti duhet ta respektojë atë.

“Ne të politikës nuk duhet të leshohemi në komentim të vendimeve të Gjykatës kushtetuese, perveç që të njëjtat duhet të respektohen nga të gjitha palët”, ka thënë Lekaj

Nënkryetari i AAK-së është shprehur se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me secilën parti për formimin e një qeverie të re, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Si AAK, ne hyjmë në zgjedhje me bindjen e plotë për të qenë edhe me tutje në institucionet e vendit, si parti më më shumë fuqi vendimmarrëse. AAK si parti shtetformuese, sidomos tani, në këto kohë aspak të lehta për vendin, do te jetë e hapur të bashkëpunojmë me të gjitha ato subjekte politike, që parimisht dhe praktikisht do të kenë vullnetin për të shtyrë përpara ide e koncepte zhvillimore për Kosovën”, ka deklaruar ai për gazetën kosovare Insajderi.


Mes tjerash, Lekaj ka folur edhe për takimin e thirrur nga u.d së presidentes, Vjosa Osmani për konsultim në lidhje me zgjedhjet e parakohëshme.


“Konsultimet e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të ndodhin dhe rrjedhimisht, duke patur parasysh edhe gjendjen pandemike, ajo datë e zgjedhjeve duhet të merret parasysh që të caktohet sipas afateve kushtetuese por edhe sipas situatës pandemike”, është shprehur Lekaj.


Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.


Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.


Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Advertisement

Leave a Reply