
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga totali prej 74 mijë zarfeve me fletëvotime të supozuara, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe, shkruan Kallxo.com
Këto të dhëna flasin se nga zarfet e vlerësuara me fletëvotime të supozuara të mërgatës, janë refuzuar afër 28 për qind.
“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse Shërbimi Votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në Qendrën e Numërimit të Rezultateve”, ka thënë sot zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Shkaqet e refuzimeve të kësaj kategorie të zarfeve me fletëvotime të supozuara, Elezi i kishte dhënë ditë më parë. Ai kishte thënë për KALLXO.com se janë disa shkaqe.
“Arsyet kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë”, kishte thënë Elezi.