“Përkatësia etnike në letërnjoftime”: ‘Levica’ kërkon mendim nga Komisioni i Venecias

“Përkatësia etnike”, ‘Levica’ kërkon mendim nga Komisioni i Venecias mbi përfshirjen e përkatësisë etnike në kartat e identitetit, e paraparë me propozim-Ligjin për letërnjoftime. Sipas tyre, propozimi i parashikuar bie në kundërshtim me legjislacionin e vendeve anëtare të BE-së.

Kërkesa e partisë ‘Levica’ apo ‘E Majta’
“Lusim antarët e Komisionit tuaj t’i shqyrtojnë ndryshimet e reja në Ligjin për letërnjoftime të cilat janë në procedurë legjislative në Kuvendin e Maqedonisë. Të prononcoheni për përputhjen ose mospërputhjen e dispozitave të propozuara me praktikën Evropiane dhe legjislacionin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe praktikat krahasuese me shtetet tjera”.

Duke e komentuar nismën e “Levicës”, nga partia e pushtetit-LSDM thanë se kjo parti është dorë e zgjatur e VMRO-DPMNE-së.

Levica është dorë e zgjatur e VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit. Atë që nuk mund ta bën VMRO-ja dhe Mickoski kërkon të bën Dimitar Apasievi dhe Levica – tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

Kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se përkatësia etnike do të përfshihet për shkak se për këtë është dhënë fjala. Zaev më pas ndryshoi qëndrimin duke thënë se ligji nuk duhet miratuar nëse bie në kundërshtim me vlerat e BE-së.

Një mendim i Qeverisë i dërguar në Kuvend më 12 shkurt, përfundon me konstatimin dhe kërkesën e Kryeministrit që Kuvendi të mos e miratojë ligjin. Zaev më pas u tërhoq nga ky qëndrim duke theksuar se e drejta e deklarimit është e garantuar posaçërisht në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut. Po ky mendim i kryeministrit nuk zgjati shumë, pasi ai ndryshoi qasjen paralelisht me deklaratën e euroambasadorit në Shkup, Dejvid Gir i cili gjithashtu deklaroi se përfshirja e përkatësisë etnike dhe fetare në dokumentet e identifikimit bie ndesh me legjislacionin e BE-së.

Për Lëvizjen Besa rruga deri te anëtarësimi i plotë është e gjatë dhe për këtë arsye ligji si fillim duhet miratuar dhe pas anëtarësimit mund edhe të abrogohet. Procedura e miratimit ka ngecur në fazën e shqyrtimit teknik të 1.230 amendamenteve të propozuara nga E Majta dhe VMRO-DPME-ja e cila kërkon edhe përfshirjen e përkatësisë kombëtare./GazetaPopulli.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *