Biden i bënë thirrje Senatit të miratojë ndihmën financiare prej 1.9 trilion dollarësh për pandeminë COVID-19

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Senatit të shtunën të miratojë paketën e ndihmave me vlerë 1.9 trilion dollarë që u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve në orët e para të ditës.

Paketa, e cila synon të ofrojë mbështetje financiare për bizneset, institucionet qeveritare si dhe miliona amerikanë, jetët e të cilëve janë prekur nga pandemia, tani do të kalojë në Senat pasi u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Populli i këtij vendi ka vuajtur për shumë gjatë. Duhet t’ua lehtësojmë vuajtjet. Këtë bën Plani Amerikan i Shpëtimit. Lehtëson vuajtjet. Tani është koha për të vepruar”, tha presidenti në komentet nga Shtëpia e Bardhë para se të nisej për në shtetin e tij Delaware për fundjavën.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi paketën e re të ndihmës financiare të Presidentit Biden me vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh, që synon të ndihmojë bizneset, qeveritë dhe miliona amerikanë të dëmtuar nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Ligjvënësit votuan në linja partiake në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët. Paketa u miratua me 219 vota kundrejt 212 sa ishin kundër. Miratimi i saj e ka vënë presidentin Biden në rrugën për fitoren e tij të parë të madhe legjislative që nga marrja e detyrës më 20 janar.

Paketa e ndihmës do të duhet të miratohet në senatin 100 anëtarësh të ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet demokratëve dhe republikanëve dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, ka votën vendimtare.

Demokratët, të cilët kanë epërsi të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, argumentuan se paketa është e nevojshme për të ringjallur ekonominë dhe për të luftuar pandeminë COVID-19, që u ka marrë jetën më shumë se 510 mijë amerikanëve. Republikanët kundërshtojnë koston e lartë të projektligjit.

Paketa mbulon kostot e vaksinave dhe pajisjeve të tjera mjekësore dhe siguron 1 mijë e 400 dollarë pagesa të drejtpërdrejta për shumicën e amerikanëve. Ajo siguron gjithashtu lehtësime financiare emergjente për qeveritë lokale dhe shtetërore, si dhe sektorët e biznesit të dëmtuar nga pasojat ekonomike të pandemisë, të tilla si industritë e restoranteve dhe linjave ajrore.

Paketa do të mbulojë edhe shpenzimet për përfitimet e papunësisë dhe lehtësime taksash për amerikanët me të ardhura të ulta dhe familjet me fëmijë, si dhe ofron ndihmë për bizneset e vogla.

Rritja e pagës minimale federale nga 7,25 dollarë në 15 dollarë në orë, është propozuar nga demokratët në versionin përfundimtar të paketës, por nuk ka gjasa të kalojë në senat. Ekspertja e rregullave parlamentare të Senatit tha të enjten se, sipas rregullit, propozimi duhet të hiqet nga projekt-ligji.

Vendimi nga ekspertja e rregullave parlamentare të Senatit, Elizabeth MacDonough i detyroi demokratët të kërkojnë rrugë të tjera që propozimi i pagës minimale të miratohet përballë një kundërshtimi të ashpër republikan.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se Demokratët nuk do të heqin dorë nga rritja e pagës minimale federale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *