Mospërmendja e Marrëveshjes së Washingtonit nga Biden, po konsiderohet distancim prej saj

Mos përmendja zyrtare e marrëveshjes së Uashingtonit nga administrata e re e ShBA-së ka krijuar mëdyshje rreth mbështetjes së presidentit Joe Biden ndaj zotimeve të 4 shtatorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në dy letër shkëmbimet zyrtare të presidentit amerikan, drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Vuçiq nuk përmendet fare marrëveshja e Uashingtonit e arritur nën administratën Trump.

Kjo sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është rastësi, por tregon distancimin e administratës së re nga marrëveshja, teksa thonë se mund të shtyhen përpara vetëm pjesë të saj.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit vazhdon të konsiderojë se e vetmja pikë e mirë nga ajo marrëveshja ishte njohja e Izraelit.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress se duke e ditur çka paraqet për Kosovën ajo marrëveshje, do të ulen me administratën e re të ShBA-së për të diskutuar, pasi disa nga ato pika të marrëveshjes, sipas tij kanë qenë edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Mendoj që është lajm i mirë që në ShBA tashmë ka një administratë të re, e cila udhëhiqet nga presidenti Biden, të cilin ne e kemi përkrahur hapur dhe publikisht gjatë fushatës presidenciale në Amerikë…disa nga pikat e dokumentit të Uashingtonit janë pika që kanë qenë marrëveshje në kuadër të dialogut me Brukselit, në anën tjetër janë disa pika të cilat janë vështirë të kuptohen se gjenden në mesin e atyre 16-17 pikave të marrëveshjeve. Duke e ditë këtë dhe argumentuar atë se çka paraqet për Kosovën, tashmë me një administratë të re që është shumë e mirë dhe lehtë të ulemi ashtu që të diskutohet gjithçka brenda bashkëpunimit që synojmë të forcojmë me ShBA-së”, thotë ai.

Ndërsa, drejtori i institutit “Epik”, Demush Shasha thotë për KosovaPress se në asnjë shkëmbim të lartë politik nga ana e ShBA-së nuk është përmendur marrëveshja e Uashingtonit. Sipas tij, kjo tregon se administrata e re Biden nuk e konsideron këtë marrëveshje si ndërtues të politikave të saja karshi dialogut Kosovë-Serbi.

Megjithëkëtë, Shasha tregon cilat nga pikat mund të ripaketohen në kuadër të politikës ë re amerikane karshi Kosovës dhe Serbisë.

“Mesazhi i parë është se në asnjë shkëmbim të lartë politik nga ana e ShBA-së në asnjë moment nuk është përmendur marrëveshja e Uashingtonit. Kjo nuk është rastësi. Administrata e re Biden po tregon qartë se për të nuk është një marrëveshje mbi të cilën ata do të ndërtojnë politikën e tyre karshi dialogut dhe Ballkanit Perëndimor. Pra po shohim një distancim të administratës Biden nga marrëveshja e Uashingtonit”.

“Ajo që duhet të presim është që një numër i pikave do të ripaketohen në kuadër të politikës së re të administratës Biden karshi Ballkanit Perëndimor dhe dialogut Kosovë-Serbi. Pra pres që një numër i pikave të asaj marrëveshje të mbesin në fuqi, por të ristrukturohen në kuadër të qasjes së re të Biden. Në këtë kuptim qasja do të mbetet e njëjtë sa i përket sigurisë së shërbyesve 5G, qasja do të jetë e njëjtë sa i përket gjërave infrastrukturore, sa i përket Hamasit, e kështu me radhë”, deklaron ai.

Letrat e presidentit Biden, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike po i sheh si tregues për një qasje ndryshe nga administrata Trump.

“Kjo tregon që administrata Biden do të ketë një qasje më të ndryshme nga ajo e administratës Trump. Do të ketë një qasje më të strukturuar dhe ndoshta më të thellë ku e sheh kontestin historik dhe politikë pak më shumë se administrata e kaluar. Mos përmendja e marrëveshjes së 4 shtatorit mbetet të shihet a është përnjëmend, do të eskivohet nga administrata Biden. Apo do të merren copëza të saj që mendojnë që janë të dobishme”, pohon Fetahu.

Më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në gjithsej 16 pika, mes tjerash flitej për bashkëpunim ekonomik dhe investime miliardësh nga ana amerikane në Kosovë, mirëpo ende diçka e tillë nuk ka ndodhur. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *