Von der Leyen: Europa të përgatitet për një epokë pandemish edhe pas Covid

Evropa duhet të përgatisë ambientet e saj mjekësore për të menaxhuar “një epokë të pandemive”, edhe kur Covid-19 të ketë përfunduar. Kështu u shpreh për “Financial Times” Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke pranuar se BE po kalon momentin e saj më të vështirë për shpërndarjen e vaksinave.

Për von der Leyen, BE nuk mund të ndalet dhe duhet një plan për një përgjigje të shpejtë evropiane ndaj kërcënimeve shëndetësore.

“Evropa është e vendosur të forcojë aftësinë e saj për të prodhuar vaksina – shpjegon ajo -. Ne jemi duke hyrë në një epokë të pandemive. Nëse shikoni se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit, me HIV, Ebola, Mers dhe Sars. Nuk mund të mendojmë se gjithçka ka mbaruar, kur Covid-19 të jetë mbyllur. Rreziku mbetet”.

Presidentja kujton se muajin e kaluar ajo zbuloi një plan te mbrojtjes biologjike, të quajtur “Hera Incubator”, i cili do të bashkojë studiuesit, kompanitë e bioteknologjisë, prodhuesit dhe autoritetet publike për të monitoruar emergjencat shëndetësore dhe për të punuar shpejt mbi vaksinat. Modeli është Autoriteti Amerikan i Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomedical (Barda): “Kjo u jep atyre një avantazh të madh, është një infrastrukturë që Evropa nuk e ka … dhe ky do të jetë Inkubatori i Hera”.

Duke pranuar vështirësitë evropiane të muajve të fundit për shpërndarjen e vaksinave, von der Leyen kujton se do të fillojë një kontratë e dytë me Pfizer / BioNTech, së bashku me mbërritjen e vaksinës Johnson & Johnson, e cila duhet të aprovohet në Mars në Evropë. Duke folur për problemet e hasura me dërgesat e AstraZeneca, presidentja shpjegon: “Është mirë që ata të çojnë vaksinë edhe në pjesën tjetër të botës, por ata duhet të respektojnë kontratën e tyre dhe ne duam pjesën tonë”./Opinion.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *