Komuna e Pejës: Nuk u vodh vetura e kryetarit por e një zyrtari tjetër që rastësisht i la çelësat brenda

Komuna e Pejës ka mohuar se vetura e kryetarit Gazmend Muhaxheri është bërë subjekt i një vjedhje, të cilën dyshohet se e kreu të dielën Valon Loxha, një i ri nga Peja.

Valon Loxha u arrestua mbrëmjen e së dielës, pasi, siç raportoi Gazeta Express, ia mori veturën zyrtare kryetarit të Pejës dhe shkoi në fshatin malor të Rugovës.

Arrestimin dhe shoqërimin e Loxhës në Policinë e Kosovës e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë për Gazetën Insajderi.

Por, nga Komuna e Pejës kanë thënë se pre e aktit të vjedhjes nuk ka rënë vetura e kryetarit, por e një zyrtari tjetër të komunës.

“Jo. Fillimisht do të thotë, ndoshta jeni keqinformuar sepse nuk është marrë vetura e kryetarit, është marrë një prej veturave në oborrin e komunës, do të thotë që ai [zyrtar] që e ka pasur në shfrytëzim, rastësisht i ka lënë çelësat në veturë”, ka thënë për Insajderin, Arianit Demaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.

“Me rastin janë duke u marrë Policia, do të thotë edhe me këta punëtorët e sigurimit të komunës”, ka thënë ai.

Disa ditë më parë, në një deklarim për Klan Kosova, Valon Loxha kishte deklaruar se kjo që po bën nuk është vjedhje.

Ai pati thënë se i merr veturat që i gjen të hapura, ndërkaq e quante budallallëk të pronarëve se pse ata harrojnë t’i mbyllin veturat e veta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *