Aeroporti i Shkupit fiton çmimin e aeroportit më të mirë në Evropë (Foto)

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, bashkë me atë të Zagrebit, të cilët menaxhohen nga kompania TAV, janë zgjedhur aeroportet më të mira në Evropë në kategoritë e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

TAV njofton se aeroportet e Shkupit dhe Zagrebit të drejtuar nga TAV janë renditur ndër aeroportet më të mira në Evropë për sa i përket kënaqësisë së udhëtarëve.

Të dy aeroportet janë vlerësuar në kategorinë e “2-5 milionë pasagjerë” në çmimet Cilësia e Shërbimit të Aeroportit (Airport Service Quality ASQ) nga Këshilli i Aeroporteve Botërore (ACI World).

Ndërkohë Shkupi gjithashtu u rendit në mesin e 33 aeroportëve që kanë zbatuar më së miri higjienën, kategori që u shtua për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Kreu i Grupit të TAV-it, Kürşad Koçak, tregoi se janë duke menaxhuar 15 aeroporte në 8 vende.

“Gjatë periudhës së pandemisë, ne shpejt i përshtatim të gjitha proceset tona sipas kritereve shkencore të përcaktuara ndërkombëtarisht, për të siguruar një përvojë të sigurt udhëtimi për udhëtarët tanë”, tha ai.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i ACI World, Luis Felipe de Oliviera, tregoi se ky çmim do të thotë niveli më i lartë i mundur për drejtues të aeroporteve në çdo vend të botës.

TAV, një ndër menaxhuesit më të dalluar në botë, në Turqi menaxhon aeroportet Antalya, Ankara Esenboğa, İzmir Adnan Menderes, Milas Bodrum dhe Gazipaşa Alanya, ndërsa jashtë vendit në Maqedoninë e Veriut aeroportet Shkup dhe Ohër, në Kroaci aeroportin Zagreb, në Arabinë Saudite aeroportin e Medines, në Gjeorgji aeroportet Tbilisi dhe Batumi, si dhe në Tunizi Monastir dhe Enfidha-Hammamet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *