Bekteshi: Brenda dy javëve çmimet e bukës, qumështit dhe mishit do të ulen për 13%

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pret që në fillim të dhjetorit të ketë ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë nga 5 në 12-13 për qind. Nëse nuk ka një ulje të tillë, siç tha ai sot pas takimit me prodhuesit dhe përfaqësuesit e tregjeve më të mëdha zinxhirore, do të miratohen masat e reja që dalin nga Ligji i Tregtisë.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

“Ajo që ishte barra më e madhe për kompanitë është zgjidhur. Për këtë arsye ne në vazhdimësi mbajmë takime me prodhuesit e produkteve ushqimore bazë. Ata mund të paraqesin propozimet e tyre dhe kjo, me kërkesën time, duhet të ndodhë javën e ardhshme. Aty ku ka mundësi do të ndërhyjnë institucionet kompetente. Megjithatë, sipas të gjitha projeksioneve dhe analizave, pres një ulje të tillë pothuajse në çdo produkt të shënuar në Vendimin e Drejtorisë doganore”.

Bekteshi theksoi se qytetarët mund të lajmërohen në baza ditore në Inspektoratin Shtetëror të Tregut nëse vërejnë se diku nuk ka ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

 “Tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të disa produkteve, veçanërisht bukës, qumështit, bulmetit dhe disa produkteve të mishit. Një prodhues i caktuar qumështi para 4-5 ditësh kishte çmim mbi 80 denarë, ndërsa sot çmimi është 76 dhe me shumë mundësi nga 1 dhjetori do të ketë ulje të mëtejshme. Disa prodhues të bukës kanë çmime mbi 40 denarë, ndërsa sot variojnë nga 36 deri në 38 denarë. Dhe atje presim një ulje të mëtejshme. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e mishit”.

Në takim, prodhuesit, siç tha Bekteshi, janë njoftuar edhe se janë duke u bërë analiza për masat shtesë që duhet të merren deri në fund të vitit. Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e prodhuesve dhe tregjeve më të mëdha zinxhirore, siç bën me dije Bekteshi, është diskutuar për ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare./Medina Ajeti Ali /SHENJA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *