Lladrovci i del në krah Kurtit: Ndërkombëtarët dikur na thonin mos e nisni luftën me Serbinë se ju zhdukin, por UÇK triumfoi

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se 48-orëshi për shtyrjen e afatit për targat ishte vendim i mirë nga kryeministri Kurti, por kjo është dashur të ndodhte më herët në mënyrë që siç thotë ai, të mos jemi në këtë situatë.

“Shtyrja e zbatimit të vendimit të ligjshëm, për targat ilegale, është i mirë. Por, për të mos ardhur në situatë të numërojmë orët, është dashur harmonizimi paraprak me aleatin tonë kryesor, edhe pse nuk jemi afër Meksikës”, tha Lladrovci.

Lladrovci për Gazeta Blic, thotë se pavarësisht se çfarë thonë ndërkombëtarët vendin ynë do të dal fitues, teksa ka përmendur qasjen e tyre me shqiptarët në fillim të viteve ’90.

Lladrovci thotë se me çështjen e targave, duhet të merren drejtorë të dy shteteve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sektorit të Komunikacionit.

Sipas tij, debati për targat është i panevojshëm dhe duhet negociuar vetëm për marrëveshje finale me Serbinë, ku këtë përfshihet njohja e ndërsjellë.

“Ndërkombëtarët duhet trajtuar sipas situatave, në fillim të viteve ’90, me aleatët që kemi pasur kontakte, na kanë thënë mos e nisni luftën me Serbinë se ju zhdukin, ju shkatërrojnë juve dhe Shqipërinë…ju hedhin në det. Ne kemi pasur të drejtën tonë, kemi pasur guxim dhe me vendimet tona vetëmohuese e kemi bërë botën për vete, pas sakrificës së popullit tonë dhe heroizmit të paparë në Evropën moderne, Kosova dhe UÇK dolën fitimtare. Pra, veprimet e mira edhe pse në dukje të parë të pamundura për arritjen e qëllimit, të krijojnë miq dhe arrin qëllimin, si çlirimi dhe Shpallja e Pavarësisë. Targat i shoh si problem me të cilin është dashur të merren drejtorë të dy shteteve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sektorit të Komunikacionit që merren me targat, nuk e arsyetoj këtë nivel të debatit për targat, ne na duhet marrëveshja finale me Serbinë dhe njohja e ndërsjellë”, tha Lladrovci.

Se a do të ketë eskalim të situatës në veri, Lladrovci thotë se Amerika është garantuese e sigurisë së shtetit tonë, dhe marrëveshjet e garantuara nga SHBA-të, sipas tij nuk duhet të mendohen dy herë.

“Pres zgjidhje, më pak të favorshme se sa po të merrnim vendim për shtyrje 10 mujore. Para se të marrë vendim Kryeministri, disa herë kam dhënë opinione të shkurtra rreth miqësisë tonë jetike me Amerikën. Tash është vonë të flas, sepse, Kryeministri e ka mandat dhe përgjegjësi dhe në këto rrethana tash, pas vendimit të tij, neve na mbetet vetëm ta respektojmë. Ne e njohim historinë dhe nuk ka asgjë të re nga përvojat e këqija që i kemi pasur me fqinjët dhe vendimet e marra në konferencat ndërkombëtare kundër vullnetit dhe interesit tonë, gjithandej Evropës, pse duhet të presim befasi. Në skenë është Amerika si garantuese e lirisë dhe sigurisë së shtetit tonë. Prandaj, marrëveshjet e analizuara mirë dhe të garantuara nga ShBA, i shoh të pranueshme, as që do ta mendoja dy herë”, përfundoi Lladrovci për GazetaBlic.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *