Bekteshi: Të gjitha kompanitë duhet t’i ulin produktet e tyre për 10 %

Nga rreth 1000 kompani në sektorin e ushqimeve, vetëm 235 kompani janë regjistruar për shfrytëzimin e energjisë elektrike të subvencionuar nga shteti. Qeveria bëri të ditur se aplikimet që nuk janë të kompletuara do të kenë kohë shtesë për të mbledhur të gjitha dokumentet e nevojshme dhe për to do të ketë energji më të lirë nga janari i vitit të ardhshëm. Pavarësisht se 750 kompanitë e mbetura nuk do të përdorin energjinë elektrike me 80 euro për megavat orë, ato do të duhet të ulin çmimin e produkteve të tyre edhe në shitje me pakicë. Nëse nuk e bëjnë këtë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i kërcënoi personalisht se këtë herë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

“Nga 1 dhjetori, të gjitha ato kompani që mund ta përdorin këtë masë janë rreth 1000 kompani, disa janë furra vërtet të vogla, kryesisht prodhues të mëdhenj janë rreth 180. Të gjithë duhet t’i ulin çmimet e produkteve që janë në vendimin e marzhit tregtar. Në rast se kjo nuk ndodh, do ta shihni vetë se çfarë masash do të ndërmerren”, deklaroi Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë.

Energjia e lirë për industrinë ishte ndër kërkesat kryesore të biznesmenëve, të cilët u ankuan se do të falimentonin dhe do t’u duhej ta mbyllnin biznesin e tyre për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike. Nuk ka shpjegim pse tani vetëm një e pesta e kompanive janë regjistruar për të shfrytëzuar energjinë e subvencionuar.

Vetëm gjysma e shkollave fillore dhe të mesme janë pajtuar për subvencionimin e energjisë elektrike, edhe pse kryetarët thonë se pa ndihmën e shtetit do të falimentojnë dhe fëmijët do të mbeten pa ngrohje. Autoritetet janë të revoltuar me kryetarët e komunave, të cilët përveç ndriçimit publik donin që me energjine e lirë elektrike t’i mbulojnë edhe ndërtesat administrative, por qeveria nuk e lejon këtë.

“Këto masa nuk janë që dikush të ulet në zyra, të bëjë kafe, të bëjë mbledhje dhe të lexojë gazeta. Këto masa janë për qytetarët. Këto masa nuk janë për dikë që gëzon rehati në një kohë krize, ndërsa dikush tjetër nuk ia del dot të mbijetojë”, tha Dimitar Kovaçevski kryeministër.

Tregtarët si arsye për rritjen e çmimeve të ushqimeve kanë përmendur rrymën e shtrenjtë, ndërsa tani pavarësisht nëse kanë aplikuar për rrymë të subvencionuar apo jo, pas 1 dhjetorit kanë detyrimin t’i ulin çmimet e ushqimeve me të paktën 10 për qind. /Ile Petrevski/Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *