Stadiumi i Tetovës me vite në pritje të rikonstruimit, Kasami: Brenda vitit do kemi zgjidhje

Stadiumi i Tetovës është lënë pas dore nga ana e autoriteteve për shumë vite, kështu duke e lënë në gjendje të tmerrshme dhe pa përkujdesje. Rikonstruimi i tij u përmend vazhdimisht gjatë dy mandateve të Teuta Arifit, por asgjë nuk u ndërmor. Rikonstruimin e tij e premtoi edhe kryetari aktual, Bilall Kasami. Ndërsa së fundmi i pyetur nga Portalb.mk ai tha se brenda vitit në bashkëpunim me kompaninë “Ecolog” do ketë zgjidhje.

Xhama të thyer, letra, plastika, goma veturash, mbeturina të ndryshme gjithandej dhe mbishkrime që i japin një pamje dhe mesazh jo të mirë, janë vetëm disa nga elementet të cilat e identifikojnë stadiumin e qytetit të Tetovës nga jashtë. Ndërsa nga brenda ai njëjtë është në gjendje të shkatërruar.

Qytetarët dhe adhuruesit e futbollit me vite presin rikonstruimin e stadiumit të qytetit. Portalb.mk pyeti kreun e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin se a ka diçka konkrete në këtë drejtim pasi së fundmi ai u takua edhe me pronarin e kompanisë “Ecolog”, e cila përflitet si investitor për rikonstruimin e stadiumit.

Kasami pohoi se tema e stadiumit është biseduar dhe se ka diçka konkrete në këtë drejtim, dhe se përveç stadiumit pritet të ketë edhe akademi futbolli për të rinjtë.

“Besoj brenda vitit do të kemi një zgjidhje e cila nënkupton përfundimisht stadiumi i qytetit të fillojë të rikonstruohet të kemi një akademi moderne për të rinjtë, futbollistë të rinj, e cila gjithashtu është një projekt bashkë me kompaninë “Ecolog” dhe sigurisht që këto investime do të jenë investime që do i japin ritëm të ri sportit në Komunën e Tetovës. Besoj që deri në fund të vitit do të kemi një marrëveshje përfundimtare”, tha Kasami.

Portalb.mk u drejtua me pyetje përmes emailit zyrtar edhe te kompania “Ecolog”, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nuk kemi marrë.

Para disa muajsh, edhe tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija” përmes një fushate kërkuan kompania e cila e menaxhon klubin,“Ecolog”, ta bëjë rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Qytetarët, rikonstruimin e stadiumit e kërkuan edhe gjatë debatit publik për buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2022. I cili u mbajt në fund të dhjetorit të vitit të klauar.

Nga ky takim, Kasami tha se ka një marrëveshje në fuqi me një kompani private që ajo do bëjë rregullimin, rinovimin dhe menaxhimin për një periudhë të caktuar të stadiumit.

“Kompania ka pasur disa hezitime sa i përket disa punëve të cilat është dashur ti bëjë komuna dhe nuk i ka bërë. Jemi në koordinim që ato punë të bëhen dhe kam një bindje që brenda 2022 do të nis meremetimi i stadiumit… Ka edhe disa dilema të tjera të cilat në bashkëpunim me kompaninë do ti zgjidhim që të mund të ja mundësojmë investimin që e ka paraparë që ajo pjesë të jetë e rregulluar”, tha Bilall Kasami me 27 dhjetor 2021.

Rikonstruimin e stadiumit Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi që kompania “Ecolog” jo vetëm stadiumin por kompania Ecolog të jetë një partner strategjik i Komunës së Tetovës me gjithë kapacitetin investues që e ka dhe atë kapacitet ta orientojë në zhvillimin ekonomik lokal të Tetovës”, tha Bilall Kasami në #Debatpërnime me 14 tetor.

Rikujtojmë që kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin  2021, por asgjë nuk u realizua në terren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *