Super ekspertiza për “Llaskarcën”, Byroja për Ekspertiza Gjyqësore shkel afatin

Byroja për Ekspertiza Gjyqësore ka shkelur afatin e caktuar nga Gjykata Penale për dorëzimin e super-ekspertizës për aksidentin në Llaskarcë deri më 5 dhjetor. Edhe pse nga Gjykata disa ditë më herët paralajmëruan gjoba në rast të shkeljes së këtij afati, sot përmes një kumtese thanë se ekspertët e kanë njoftuar gjykatën se i kanë kryer të gjitha inspektimet e nevojshme dhe se janë drejt përgatitjes së konkluzave të fundit duke shtuar se ngelet e hapur mundësia për gjoba nëse kjo nuk bëhet së shpejti.

“Nga byroja e informuan gjykatën se ekspertët deri tani i kanë realizuar të gjitha inspektimet e nevojshme dhe analizat, ndërsa pas nxjerrjes së konkluzave nga inspektimi i realizuar në autobus, do ta finalizojnë përgatitjen e superekspertizës dhe lëndës, me të gjitha të dhënat”, njoftojnë nga Gjykata Penale në Shkup.

Edhe pse mungesa e superekspertizës është bë shkak për anulimin e dhjetëra seancave gjyqësore për këtë rast, drejtori i Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore, Valdet Xhaferi, vazhdon të mos përgjigjet në pyetjet e Alsat në lidhje me atë se pse zvarritet kjo procedurë.

Seanca e radhës do të mbahet më 20 dhjetor ndërsa nga Gjykata Penale deklaruan se kanë takuar familjarët e viktimave të aksidentit tragjik si dhe të plagosurit.

“Këshilli i gjykatësve kompetentë sot i njoftoi edhe disa nga të dëmtuarit në procedurë të cilët ishin të pranishëm në gjykatë dhe i njoftoi që në seancën e radhës që do të mbahet më 20 dhjetor, ende ekziston e hapur mundësia për gjobë me para për ekspertët në qoftë se lënda me të gjitha të dhënat dhe ekspertiza e përgatitur si dhe analiza, nuk kthehen në gjykatë në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thonë nga Gjykata Penale, Shkup.

Rikutjojmë që disa ditë më herët këta familjarë paralajmëruan protesta dhe bllokim të rrugëve në qoftë se procesi gjyqësor vazhdonte të zvarritej.

Ndryshe, tragjedia ka ndodhur më 13 shkurt të vitit 2019 ndërsa deri tani janë mbajtur mbi 100 seanca gjyqësore, arsyeja për këtë është mungesa e super-ekspertizës së kërkuar nga ana e gjykatëses Diana Gruevska. Në këtë proces akuzohen gjashtë persona, edhe atë pronari i Durmo Turs, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari, shoferi i autobusit Manoil Trifunovski si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. /Ardit Ramadani/Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *