Në Maqedoni, magjistra e doktorë të papunë!

Sipas evidencës së fundit për personat e papunë, në Agjencinë për Punësim si të papunë janë të regjistruar 623 magjistër të shkencave, si dhe 19 doktorë shkencash. Vërehet një trend i uljes së numrit të magjistrave dhe doktorantëve të cilët kërkojnë punë.

“Personat e papunë janë të orientuar që të bëhen pjesë e trajnimeve për të fituar njohuri dhe shkathtësi shtesë, si dhe punëdhënësit janë të motivuar të organizojnë trajnime në vendet e tyre të punës, me pajisjet dhe teknologjinë e tyre, për të trajnuar kandidatë potencial për punësim sipas nevojave të tyre”, thonë nga Agjencia për Punësim.

E njëjta sqaron se aktivitetet e tyre synojnë lidhjen më të suksesshme mes ofertës dhe kërkesës së fuqisë punëtore, me qëllim që t’i risin kapacitetet e punësimit për të papunët dhe në mënyrë të suksesshme të bëjë integrimin e tyre në tregun e punës.

Sipas fushave në të cilat kanë magjistruar nga të papunët e regjistruar, më të shumtë janë magjistrat në fushën e drejtësisë: master të shkencave juridike, master në fushën e të drejtës penale, master për të drejtën biznesore, master në drejtimin e drejtësisë, master në drejtimin e së drejtës civile, master i së drejtës materiale civile dhe i së drejtës procedurale civile, master i shkencave politike.

Në evidencën e personave të papunë ka gjithashtu edhe profile nga Masterë të Shkencave Ekonomike: master i menaxhim marketingut, master i kontabilitetit financës dhe auditimit, master në administrim biznesi, master inxhinier arkitekt, master i farmacisë, master i menaxhimit të burimeve njerëzore, master të shkencave dhe sigurisë, etj. Ka edhe nga persona të papunë që kanë titullin Doktor Shkence, tre doktorë të shkencave juridike, tre të shkencave ekonomike, dhe pjesa tjetër e të papunëve janë nga profili doktor i shkencave të komunikimit, doktor në fushën e sigurisë, doktor në shkenca politike, doktor në shkencat e informacionit, doktor në fushën e menaxhimit, doktor në fushën e pedagogjisë, doktor i çështjeve sociale dhe politikave sociale, doktor në fushën e inxhinierisë mekanike. Numër rekord i të papunësuarve me tituj u shënua gjatë vitit 2018, 33 doktorë shkencash dhe 866 magjistra të shkencave të papunësuar. /koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *