Isa Mustafa i bindur se LDK do të dalë parti e parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa është shprehur i bindur se partia që ai drejton do të fitojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovës, data e të cilave pritet të bëhet e ditur pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike.

Qeveria e vendit tashmë është në detyrë pasi Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar në vendimin e saj se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e kabinetit Hoti në qershor të këtij viti ishte jo legjitime, duke konfirmuar kështu pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për një gjë të tillë.

Ndërkohë që ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka nisur takimet konsultuese me partitë politike në vend për datën e zgjedhjeve, të cilat pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka shfaqur besimin e tij se partia që ai drejton do të dalë e para në garën zgjedhore.

Ai duke iu drejtuar kryesisë dhe drejtuesve të degëve të LDK-së me rastin e 31-vjetorit të themelimit të LDK-së, tha se kjo parti gëzon përkrahjen e gjerë të qytetarëve, pasi që kanë ofertën më të mirë demokratike dhe euroatlantike për Kosovën.

“Dy herë me radhë LDK ua la udhëheqjen e qeverisë subjekteve tjera të cilat në zgjedhje i kishte mposhtur bindshëm. Kjo dëshmoi se LDK përpara pushtetit gjithmonë e ka vënë interesin e shtetit dhe të Kosovës. LDK i dha vendit dy presidentë dhe tre kryeministra, LDK që drejtoi nga qershori i këtij viti koalicionin qeverisës është e gatshme të sprovohet me subjektet e tjera në zgjedhjet e lira demokratike, sepse për LDK-në zëri i sovranit është më i rëndësishmi”, tha Mustafa

“Ne do të hyjmë në zgjedhje në fillim të vitit që vjen, me bindje të plotë se do të kemi përkrahjen e gjerë të qytetarëve, pasi kemi ofertën më të mirë demokratike dhe euroatlantike për vendin tonë se do të dalim parti e parë. LDK do të vazhdojë të punojë ngushtë me partitë simotra në kuadër të partive popullore evropiane për ta forcuar pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë”

“LDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO dhe strukturat e tjera ndërkombëtare duke ruajtur dhe duke kultivuar me xhelozi miqësinë e përhershme dhe speciale me SHBA-në”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *