LSDM dhe Aleanca për Shqiptarët tejkalojnë dallimet për ndarjen e resorëve

Nesër pritet të takohen kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ku do të shqyrtohet oferta për hyrje të ASH-së në Qeveri. Jozyrtarisht Televizioni Shenja mëson se janë tejkaluar dallimet për ndarjen e resorëve që do t’i ofrohen Aleancës.

Ndërkohë, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të mbajtur më 21 janar, u formua ekipi negociues i Aleancës për Shqiptarët i cili është pergjegjës për negociatat për hyrjen në Qeveri. Ekipi përbëhet nga kryetari i partisë, dy sekretarët dhe tre nënkryetarët e partisë.


Pas këtij takimi, Taravari pati deklaruar se fillimisht kanë diskutuar për përcaktimin e programve të tyre me partitë të cilat e përbëjnë shumicën aktuale.

Edhe nga LSDM parlajmërojnë mundësinë e zgjerimit të shumicës, me synimin për sigurimin e 80 deputetëve të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Dario Nikollovski nga LSDM deklaroi se pritshmëritë për zgjerimin e Qeverisë janë optimiste.


DARIO NIKOLLOVSKI, LSDM

“Rreth kësaj çështjeje edhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski ka dhënë disa herë përgjigje konkrete. Pritshmëritë janë optimiste, presim që kjo të ndodhë. Zgjerimi i shumicës parlamentare do ta rriste efikasitetin e punës së Kuvendit sa i përket ligjeve reformuese që janë pjesë e bisedimeve për anëtarësim në BE”

Ndërkohë, pritet që Aleanës për Shqiptarët t’i ofrohen tre ministri, dy zëvendës ministra dhe disa drejtori. Medina Ajeti /SHENJA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *