Të paktën 427 të vdekur dhe qindra të plagosur nga tërmeti në Siri

Azez

Të paktën 427 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit shkatërrues me magnitudë 7,4 ballë të shkallës Rihter që goditi mëngjesin e sotëm rajonet jugore të Türkiye-s dhe rajonet kufitare veriore të Sirisë, raporton Anadolu.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua në qarkun Pazarcık, në qytetin Kahramanmaraş të Türkiye-s, ndërkaq pasuan 42 pasgoditje, më e forta prej të cilave ishte 6,6 ballë e shkallës Rihter. Tërmeti është ndjerë edhe në Sirinë fqinje, veçanërisht në qytetet Idlib, Halep, Hama, Latakia dhe Raka, ku janë shembur ndërtesa të shumta.

Dhjetëra ndërtesa u shkatërruan gjithashtu nga tërmeti në pjesët veriore të Sirisë që kontrollohen nga opozita.

Të paktën 76 persona kanë humbur jetën në Türkiye dhe 440 janë plagosur si pasojë e tërmetit shkatërrues.

Të gjitha shërbimet kompetente të Türkiye-s janë të angazhuara në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ekipet përkatëse nga të gjitha pjesët e Türkiye-s po mbërrijnë në zonat e prekura nga tërmeti.

Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Türkiye kërkoi ndihmë ndërkombëtare në fushën e kërkim-shpëtimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *