Në marketet e Çairit raftet e bukës të zbrazëta, qytetarët dhe të punësuarit të irrituar nga vendimi i kompanive të bukës

Bukë rrallë mund të gjendet në marketet e Çairit. Shumica e rrjeteve të marketeve më të mëdha prej ku furnizohen qytetarët, sot raftet e bukës me çmim 33 denarë i kishin të zbrazura. Qytetarët ankohen për vendimin johuman të kompanive të bukës, ndërkaq furnizohen nga furrat e vogla.
Kështu ishte situata nga terreni të cilën e vëzhgoi gazetari i Portalb.mk, në lidhje me mungesën e bukës pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ngriu çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë si dhe ndaloi subvencionet për rrymë, e për çka kompanitë më të mëdha të cilat prodhojnë bukë ndaluan me furnizimin.

“Dje dhe sot nuk kanë sjellë bukë kompanitë. Kjo nuk është normale, çdokush në këtë shtet shikon të përfitojë në kurriz të qytetarëve”, tha një i punësuar në një market, i cili përveç disa filialeve në Çair, ka edhe dhjetëra të tjerë edhe në mbarë Maqedoninë e Veriut.

Në markete mund të gjenden vetëm forma tjera të simiteve, apo prodhimeve tjera të cilat vetë i prodhojnë disa markete që kanë furrat e tyre.

Një zinxhir tjetër marketesh, të cilët nuk na lejuan të filmojmë vërejtëm se kishin bukë në raftet e tyre, të cilin e kishin furnizuar nga kompanitë më të vogla, por edhe aty nuk kishte mjaftueshëm.

Raftet e bukës në disa markete të Çairit. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Raftet e bukës në disa markete të Çairit. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Në bisedë joformale me njërin prej menaxherëve të një marketi tjetër në Çair, na tregoi se ka komunikuar me dy prej kompanive më të mëdha të bukës që i furnizojnë ata dhe se kanë paralajmëruar se prej nesër do të furnizojnë.

“Kjo nuk mund të zgjatë shumë, pasi që kompanitë më të vogla gjithsesi po prodhojnë bukë dhe ata po ua marrin tregun kompanive të mëdha. Nuk është në rregull që ndaluan me furnizimin e bukës, patjetër duhet të ketë zgjidhje, nuk mund të shantazhohen qytetarët me bukën”, tha për Portalb.mk, menaxheri i cili dëshiroi të mbetet anonim.

Në mungesë të bukës në markete qytetarët mundohen të gjinden çdokush siç mundet.

“Të ndalosh me furnizim të bukës është johumane, ka mungesë të bukës nëpër markete dhe furnizohemi prej furrave të vogla, por gjithsesi duhet të gjendet zgjidhje”, thanë disa qytetarë me të cilët bisedoi gazetari i Portalb.mk.

Grupacioni i Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë, sot njoftoi se ka miratuar vendim që prej nesër të ndalojë me grevën dhe të fillojë të prodhojë dhe furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë sipas çmimit të ngrirë prej 33 denarësh.

Rikujtojmë se sot njoftoi Qeveria se ka miratuar vendim me të cilin i obligoiprodhuesit e bukës të mos e rrisin çmimin mbi 33 denarë.

Me vendimin përcaktohet detyrimi i tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për kryerjen e prodhimit të cilët shesin produktet e tyre në treg në dyqanet e tyre ose diku tjetër me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, që të marrin dhe/ose shesin bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë të prerë në feta ose të plota.

Ky vendim i qeverisë vjen pasi raftet e bukës në dyqane mbetën bosh për të dytën ditë pasi anëtarët e Grupit të Industrisë së Mullirit dhe Furrtarisë nuk furnizonin me bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë, duke thënë se ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut.

Kryetari i Grupit, Goran Malishiq, tha dje se humbjet e kompanive nga një vendim i tillë janë të mëdha dhe se duhet gjetur një bukë me peshë të caktuar, e cila do të jetë kategori sociale dhe do të shitet pa feta dhe në letër.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka vendosur dje gjobat e para për mosbindje ndaj vendimit.

Në 234 kontrolle të kryera nga inspektorët, janë konstatuar parregullsi në tri kompani nga Shkupi dhe një nga Kumanova që shisnin bukë me çmim më të lartë se 33 denarë. Inspektorët kanë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë ndaj këtyre kompanive.

“Gjatë kontrolleve janë bërë katër procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba mbi 300.000 denarë. Gjobat janë shumë të larta, janë në përputhje me Ligjin e Tregtisë, madje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik. Janë konstatuar tri parregullsi në Shkup dhe një parregullsi në Kumanovë, gjegjësisht situatë ku buka nuk ka qenë me çmimin e ngrirë, përkatësisht ka qenë mbi 33 denarë”, thotë në një deklaratë për media Aleksandra Koteli nga IShT.

Inspektorati Shtetëror i Tregut dje ka bërë me dije se do të vazhdojë të kryejë kontrolle lidhur me respektimin e çmimit të ngrirë të bukës të miratuar me Vendim të Qeverisë. Po ashtu, thonë nga atje, është e nevojshme që të gjithë ne të respektojmë Vendimet e Qeverisë, sepse qëllimi parësor është që në kohë krize të shtypet profiteria dhe të qëndrojmë për solidaritet, pra të kemi mirëkuptim dhe t’iu dalim në përkrahje qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *