Vilat e ndërtuara nga Tito, ku Kurti e Vuçiç provojnë të arrijnë pajtimin


Po ta pyesësh dikë se ku janë “Vilat Biljana” në qytetin e Ohrit, buzë liqenit dhe brenda një pylli të dendur, mund edhe të mos e di, por me t’i shtuar frazën shpjeguese “Vilat e Titos”, të gjithë në qytet, pa përjashtim, mund të të japin adresë të saktë.

Një kompleks shtëpish të bukura prej guri që përfaqësojnë arkitekturën komuniste, janë vilat që dikur krye-komunisti jugosllav, Josip Broz Tito, i kishte ndërtuar si objekte pushimi e pune.

Në një nga këto vila, në atë më qendroren, që tash i takojnë shtetit të Maqedonisë së Veriut, po mbahen një pas një, takimet e nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e diplomatëve evropianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.


Takimi është historik, po njëjtë historik është edhe nami i vilave Biljana.

Një nga vilat i takon kryeministrit të shtetit maqedonas, një tjetër presidentit, pak më poshtë është vila e Ministrisë së Brendshme dhe disa të tjera, më të vogla, janë vila të administratës së shtetit.

Të njëjtat vila në kohë vere, përdoren edhe për pushime të shtetasve maqedonas, por jo vetëm.

Një nga mysafirët e këtyre vilave dikur ishte edhe ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, ndërsa shumë vite më vonë, ato ishin vizituar nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ai i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Muret e gurta të këtyre shtëpive komuniste janë dëshmitare të shumë bisedave politike në Maqedoninë e Veriut, ato kanë përjetuar thurje koalicionesh e arritje marrëveshjesh të ndryshme.

Nikoqiri, Dimitar Kovaçevski, nuk e ka shpjeguar përzgjedhjen dhe nëse qëndron një simbolikë pas saj, as evropianët, që janë organizatorët e eventit s’kanë dhënë shpjegime për vendin.

Në disa pyetje të rastit për kolegët gazetarë nga Maqedonia e Veriut, meqë të gjitha mediat që po përcjellin ngjarjen janë në një dhomë konferencash aty afër, kanë një ide të përgjithshme pse pikërisht u zgjodhën këto vila.

Përtej faktit se ato janë të shtetit dhe objekti ku duhet të zhvillohen takime të këtij niveli duhet të jenë shtetërore, ato mund të jenë përzgjedhur sepse për maqedonasit ka shumë rëndësi simbolika e vetë Titos – ishte ai që i ngriti në status edhe brenda ish-Jugosllavisë.

Vilat janë monumente krenarie për ta dhe njëjtë edhe përzgjedhja nga BE që ky takim të mbahet në shtetin e tyre të vogël përbën një tjetër çast krenarie – aq më tepër sikur të arrihej një marrëveshje këtë 18 mars.

BE-ja ua besoi dhe si nikoqir i qëndruan detyrës evropiane.

Sa i rëndësishëm është ky organizim për Maqedoninë e Veriut tregohet edhe në organizimin që shkon përtej vilave.

I gjithë qyteti është çnormalizuar për hir të normalizimit që kërkon Evropa.

Vetura nëpër rrugë ka pak ose fare, kurse të njëjtat janë mbushur me policë të njësive të ndryshme qysh nga hyrja në Ohër.

Vigjilenca është si asnjëherë tjetër dhe as rastësia s’guxon të prodhojë gabim.

Për gazetarët është siguruar gjithçka në detaje, tavolinë pune, linja elektrike për karikimin e aparaturave, kafe, ushqim dhe hapësira për intervista të rastit.

Personel i madh që drejton për kudo që shfaqet nevoja dhe ndihmon në orientimin brenda objektit. Gjithçka është e qartë në Ohër, në Vilat e Titos, përveç rezultatit të takimit – ai nuk kontrollohet dot nga organizatorët, nuk kontrollohet as nga ndërmjetësuesit madje.

Janë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç që duhet ta barazojnë me deklarata e tyre kthjelltësinë e pjesës tjetër pranë liqenit me ujë kristal të Ohrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *