Mijallkov u lirua nga dënimi me burg edhe te një rast tjetër gjyqësor, ndërsa Gruevskit i rritet dënimi

Sasho Mijallkov, ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim do të lirohet nga dënimi me burg në rastin “Parcelat në Vodno”, ndërsa ish-kryeministrit Nikolla Gruevski do t’i rritet dënimi edhe për dy vjet, transmeton Portalb.mk.

Gruevski tani me vendimin e ri do të ketë nëntë vjet burg, ndërsa Mijallkovi do të ketë dënim me kusht, nëse në katër vitet e ardhshme nuk do të kryejë ndonjë vepër penale.

Gjykata e Apelit theksoi që për këtë dënim, Mijallkov ka mbajtur 7 ditë burg në dhjetor të vitit 2021.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 14 shkurt, por është publikuar sot.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në Shkup njoftoi se e ka konfirmuar aktgjykimin për lirim nga akuza që Gjykata Themelore Penale e miratoi kohë më parë për ish-drejtorin e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijalkov dhe pjesëtarët e ish-njësitit policor “Alfa” në rastin “Tortura”.

Ndryshe, në prillin e kaluar u shpall aktgjykimi për rastin “Parcelat në Vodno. Sipas vendimit të Gjykatës të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë. Ish kryeministri Nikolla Gruevski është dënuar me 7 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov u dënua me 1 vjet e 3 muaj burg, biznesmeni Orce Kamçev u dënua me 1 vjet burg, Risto Novaçevski është dënuar me 2 vjet burg me kusht dhe Nenad Josifoviq u dënua me 2 vjet burg me kusht.

Ndërkohë, prona e ish-shefit të DSK-së Sasho Mijalkov mbetet e ngrirë. Gjykata Penale e Shkupit la në fuqi vendimin për ndalimin e tjetërsimit të banesave dhe hotel Marriott në vlerë miliona euro. Ky vendim sqaron se ekziston dyshim i bayuar se e njëjta pronë buron nga veprat penale, ndërsa iu ndalohet edhe personave juridikë që të disponojnë me aksionet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *