Studentët nga Pakistani dhe Taxhakistani: Duam të punojmë – pse jo edhe të mbetemi në RMV!


NË UEJL NË TETOVË STUDIOJNË RRETH 100 STUDENTË NGA AZIA

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, studiojnë rreth 100 studentë nga Azia. Ata për Klan Maqedoni thanë se rastësisht kanë përzgjedhur Maqedoninë e Veriut si vendin për t`I vazhduar studimet, por se nuk janë penduar.

Në edicionin e fundit në Klan Debat, studentë nga Taxhikistani dhe Pakistani rrëfyen jetën e tyre studentore në Tetovë por edhe përpjekjet për t`u integruar në shoqërinë tetovare.

“Kur flasim për ngjashmëritë, kam vërejtur se ne kemi një mënyrë jetese të ngjashme, dhe ne në Pakistan jemi të afërt me gjithë familjen, e gëzojmë jetën familjare do të thosha, kështu është edhe këtu, njerëzit janë të përfshirë në jetën familjare, ata kujdesen për njëri-tjetrin, ata e respektojnë njëri-tjetrin. Është e njëjta gjë me ne” – tha Saima Rani, studente nga Pakistani.

Por, vërehen edhe dallime. Përmenden gjuha dhe ushqimi.

“Kur flas për Tetovën, shumica e njerëzve atje janë myslimanë, kështu që jemi shumë të ngjashëm kulturalisht. Kështu që unë gjej shumë ngjashmëri por edhe dallime, për shembull gjuhët janë shumë të ndryshme, nuk e kemi idenë se çfarë flasin të tjerët. Në fillim, takova njerëz që mezi flisnin në anglisht. Studentët flasin mirë, por në vende të tjera, si në vetë-shërbime dhe vende të tjera, për shembull, kishte njerëz me të cilët nuk u kuptuam” – tha Reena Ali, studente.

Studentët nga Azia, duan të punojnë në Tetovë, thonë se shohin shumë oferta pune. Por, barrierat gjuhësore dhe orari I ligjëratave vështirësojnë gjetjen e një vendi të punës.

“Thonë se problemi kryesor është pengesa gjuhësore dhe problemi i dytë është koha që kemi në dispozicion. Jemi të lirë pas orës 5 të pasdites dhe kërkojnë të vijnë në mëngjes, kjo është një pengesë e madhe” – tha Mohamed Taha, student nga Pakistani.

“Po, e kam provuar, por shumica më thonë që nuk e di gjuhën, nuk e di shqip, e di që në Tetovë shumica janë myslimanë dhe shqiptarë. Nuk dimë shqip sa duhet. I njohim kryesisht përshëndetjet si ‘mirëmengjes’” – tha Amir Hamza, student nga Pakistani.

Jaën përgjigjur pozitivisht në pyetjen, nëse pas studimeve do të dëshironin të jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Shprehen me plot vetbesim se kanë njohuri të caktuara.

“Epo, përgjigja do të ishte po, sepse me sa kam konstatuar gjatë qëndrimit tim këtu, kemi vizituar disa kompani, të cilat duhet të përzgjedhin studentë, me aftësi tashmë të fituara. Si për shembull kemi njohuri nga shkenca kompjuterike” – tha Artur Iskender, student nga Taxhikistani.

Rektori i UEJL-së, kohë më parë, në një prononcim për KlanM, bëri të ditur se në këtë universitet, me bursa amerikane, studiojnë rreth 100 studentë nga Taxhikistani dhe Pakistani. Sipas tij, mbi 50% e tyre tashmë janë duke punuar dhe duan të qëndrojnë këtu. Ai, u shpreh se studentët nga Azia, ende nuk pranohen mirë nga rrethi. /KlanMacedonia/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *