Gjykimi ndaj Pjetër Shalës: Dëshmitari rrëfen se babai i tij vuajti pasojat e mbajtjes në fabrikën e metalit në Kukës

Në Dhomat e Specializuara të Hagës po vazhdon të jep deklaratë dëshmitari i mbrojtur TW4-08. TW4-08 është dëgjuar në seancë të mbyllur përveç një pjese të shkurtër ku seanca ka vijuar e hapur për publikun.Të hënën, TW4-08 ka deklaruar se pasi babai i tij u kthye ai kishte parë gjak në trupin e tij. “Kishte gjak të tharë në trup”- tha ai.Dëshmitari pohoi se babai i tij i kishte treguar për vendin ku ishte mbajtur.“Po, babai tha se ka qenë në dhomë me tri dritare vetëm hekura, pa xhama e dhoma ka qenë beton. Disa në beton e disa në sfungjerë, pa pastrim, të gjithë aty kanë qëndruar”- tha TW4-08.

Pas Prokurorisë, marrjen në pyetje e vijoi kryetarja e trupit gjykues e cila e pyeti se a e kishte parë Pjetër Shalën dhe kërkoi ta përshkruante.“Ai me minahedhës ka qenë, personi i parë afër shtëpisë… E kam parë vetëm pak se isha pas gardhi, e dorën mbi gardh e kishte kurse arma ishte e gatshme për qitje”- deklaroi dëshmitari.Më pas marrjen në pyetje e vijoi Mbrojtësi i Viktimave i cili kërkoi  nga dëshmitari të sqarojë kohën se sa ka punuar babai i tij si polic në ish –Jugosllavi.“Ju pyeta sepse në transkript shkruante se ishte nga viti 1962 deri në vitin 1997. Pra jo vetëm shtatë vjet por tërë jetën”- tha Mbrojtësi i Viktimave.

Ndërkaq, dëshmitari konfirmoi këtë.“Po, ai gjatë tërë jetës ka qenë polic. Ka filluar në moshën 23-24 vjeç e deri në moshën 52 vjeç… Ka punuar për 35 vjet në polici në ish -Jugosllavi”- tha  TW4-08.Më tej, dëshmitari tregoi për pasojat dhe përkeqësimin e shëndetit që kishte pasur babai i tij.“I kanë shkaktuar lëndime të syve, ka mbërritur në verbim të syve e të gjitha i janë shkaktuar nga mbajtja në Kukës… Ka ndikuar në fund erdhi verbimi i syve, ka fituar diabetin e kështu”- tha TW4-08.Ai u shpreh se pas lufte gjendja e tij kishte ndryshuar shumë.

“Ishim shpirtërisht keq për atë gjendje që e shikonim babanë. Natën kishte trauma, e në gjendje jo si para lufte. Pas lufte gjendja e tij ka ndryshuar drastikisht”- shpjegoi dëshmitari.Seanca po vazhdon me marrjen në pyetje nga ana e avokatëve.Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet. Ai po mbahet në paraburgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *