Sulmi me armë ndaj Top Channel, shoqërohet në polici ish-dhëndri i rojës së sigurisë që u vra

Policia e Vlorës ka shoqëruar ish dhëndrin e Pal Kolës, rojës që mbeti i vrarë nga breshëria e kallashnikovit në oborrin e Top Channel. Roberto Papçi ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Bashkë me ish dhëndrin, u shoqërua edhe shoku i tij, Agustin Tonaj. Edhe ky i fundit ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raportoi se shoqërimet janë bërë në kuadër të hetimeve për të zbuluar kush ishte objektiv i sulmit. Sipas burimeve jo zyrtare të policisë, ata janë liruar pas marrjes në pyetje.

“Nga verifikimet kanë rezultuar deri më tani, policia thotë në rrugë jozyrtare se janë liruar të dy personat e shoqëruar, pasi nuk janë gjetur prova që e lidhin me këtë ngjarje. Nga burimet e policisë, ka pasur konflikte sa i përket divorcit që ka pasur me vajzën e tij, por sipas dyshimeve, kishte të bënte edhe me një koicidencë me orarin, duke qenë se është mbajtur në mbikqyrje që prej Tiranës deri në qytetin e Vlorës dhe dy orë pas ngjarjes, është ndaluar nga ana e policisë. Të vetmet prova që mund të ndihmojnë policinë, janë disa prova shkencore apo mbetje ADN-je që janë marrë në laboratorin e djegur. Bëhet fjalë për mbetje biologjike dhe shenja gishtash. Një nga arsyet kryesore, ashtu siç e përmenda më herët pse u ndalua dhe u shoqërua në ambientet e policisë, është për shkak të orarit. Vetëm dy orë pas ngjarjes, është vëzhguar nga Forcat Shqiponja”, raportoi gazetarja Kodra.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, ku disa persona qëlluan me breshëri plumbash godinën e televizionit dhe fatkeqësisht ndërroi jetë roja e sigurisë private, Pal Kola 61 vjeç.

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër.

Policia e Shtetit ka vendosur shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve./abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *