Pasuria 15-milionëshe e Mijallkovit pret vendimin për shitje

Sipas Ligjit për konfiskimin e pasurisë, në ankand publik mund të marrin pjesë vetëm personat që kanë vendosur më parë një garanci me vlerë një të dhjetën e vlerës së pasurisë së paluajtshme.

Gjithsej 11.3 milionë euro janë derdhur në llogarinë buxhetore nga Mijalkov dhe Orce Kamçev, familjarit të Mijallkovit. Por, pasuritë e paluajtshme dhe aksionet bankare që ishin pjesë e konfiskimit nuk janë shitur ende.

Darko Avramovski nga organizata joqeveritare “Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë”, thotë se sipas praktikave ligjore, pasuria e dëshmuar që është fituar përmes krimit konfiskohet dhe shitet në mënyrë që shteti të përdorë ato para.

“Kur ka pronë të konfiskuara, prona e tillë kryesisht shitet me tender publik. Por, shteti mund të vendosë nëse do t’ia japë në shfrytëzim një institucioni shtetëror”, thotë Avramovski.

Pasi prona e konfiskuar e Mijallkovit u bë pronë e shtetit, së bashku me vlerësimin e përgatitur për vlerën e pronës, ka kaluar afati ligjor sipas të cilit Qeveria ka të drejtë ta lëshojë atë pronë në shfrytëzim të cilitdo prej institucioneve.

“Tani është Qeveria ajo që duhet të marrë vendimin për shitjen e pasurive të paluajtshme. Pas marrjes së një vendimi të tillë, Agjencia është e detyruar të organizojë shitjen publike në afat prej 15 deri në 30 ditësh. Megjithatë, ligji nuk e përcakton afatin në të cilin Qeveria duhet të marrë vendim për shitjen e pasurisë së paluajtshme. Derisa Qeveria të marrë vendim, Agjencia është e obliguar ta mirëmbajë pronën që të mos degradojë vlera e saj”, sqaron Avramovski.

Ish-shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Vilma Ruskoska, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes vitin e kaluar për konfiskimin e pronës së Mijallkovit, kishte thënë se bëhej fjalë për pronë në vlerë prej 30 milionë eurosh. Por, të dhënat e fundit të Agjencisë për Konfiskimin e Pasurisë flasin për pasuri në vlerë prej jo më shumë se 15 milionë eurosh.

Ajo që i ka mbetur tani në dispozicion Mijallkovit, është një shtëpi prej disa miliona eurosh, një pjesë e hotelin “Merriot” në sheshin qendror të Shkupit, si dhe aksione në disa kompani vendore.

Sasho Mijallkov aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit në burgun e Strugës, të cilin vetë e kishte përzgjedhur.

Ish-shefi i policisë sekrete, përveç në rastin “Perandoria”, është dënuar edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.

Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Ai është dënuar me tre vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Por, disa vendime të shkallës së parë janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe janë kthyer në rigjykim, ndërsa për dy vepra tjera ai mund të lirohet nga vuajtja e dënimit për shkak të mundësisë së vjetërsimit të lëndëve.

Rasti i Sasho Mijallkovit, por edhe i zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shpërdorim të detyrës, ka bërë që pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit dhe rritje të efikasitetit të punës së gjyqësorit në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *