Në maj fillon rikonstruimi i rrugës së Butiqeve në Tetovë

Me këtë projekt, pritet që të ruhet identiteti i Çarshisë së Epërme në Tetovë, apo që është e njohur si rruga e Butiqeve. Ky projekt realizohet nga Ministria e Pushtetit Lokal me mjete të Bashkimit Evropian në kuadër të IPA Fondeve për bashkëpunim ndërkufitar

Tetovë, 27 mars – Sot pritet të shpallet tenderi për rikonstruimin e rrugës së Butiqeve. Kjo rrugë e cila është rikonstruuar me pllaka bekatoni dhe në disa vende me asfalt, tashmë pritet që të rikonstruohet tërësisht me pllaka prej guri. Me këtë pritet që kjo rrugë e njohur në Tetovë, të merr formën e një Çarshie siç ka qenë në të kaluarën.

Krahas kësaj, pritet që bashkërisht me rikonstruimin e rrugës të rregullohet rrjeti i kanalizimit dhe ndriçimit publik. Punët do të fillojnë në muajin maj dhe pritet që të përfundojnë në mujin qershor.

“Të hënën do të shpallet tenderi për këtë rrugë e cila ka një gjatësi prej 420 metër, në total është 3100 metra katrorë dhe vlera e saj është 180 mijë euro. Aty do të bëhet rikonstruim i rrugës, pra do të përfshihet e gjithë rruga dhe do të jetë me pllaka prej guri. Procedura e tenderimit duhet të zgjasë 30 ditë dhe më pas të fillohet me punë ndërtimore në muajin maj dhe të përfundojnë në muajin qershor. Kjo bëhet me qëllim që të jemi të përgatitur që gjatë verës kjo rrugë të jetë në shërbim edhe për qytetarët por edhe për bizneset që gravitojnë në atë zonë”, tha Memet Jonuzi, udhëheqës i sektorit për veprimtari komunale në kuadër të komunës së Tetovës.

Me këtë projekt, pritet që të ruhet identiteti i Çarshisë së Epërme në Tetovë, apo që është e njohur si rruga e Butiqeve. “Projekt ka për qëllim që të ruajë identitetin e vjetër të qytetit, pra i jepet rëndësi pjesës që t`ia kthejmë pamjen e rrugës së vjetër të qytetit. Rruga ka qenë më pllaka bekatoni dhe ajo nuk e simbolizon identitetit që ka pasur ajo pjesë e Tetovës. Pra, me këtë, pikënisja e projektit është tek udhëkryqi në gjykatën e Tetovës ku fillon Rruga e Butiqeve dhe përfundimi pra është në anën tjetër të kufirit, respektivisht në Prizren ku është edhe atje çarshia e atij qyteti.Kjo ka qenë edhe ideja që edhe pse është përzgjedhur ky projekt për t`u financuar”, tha Jonuzi.

Ky projekt realizohet nga Ministria e Pushtetit Lokal me mjete të Bashkimit Evropian në kuadër të Ipa Fondeve për bashkëpunim ndërkufitar. Në këtë rast, model është marrë çarshia e Prizrenit, komunë e Kosovës me të cilën realizohet projekti. Në të ardhmen pritet që të ketë edhe kampanjë që rruga e Butiqeve në Tetovë, të jetë edhe si destinacion turistik. Kjo rrugë, ndër vite është dëmtuar shumë, dhe rikonstruimi i saj është bërë me pllaka prej bekatoni, të cilët nuk kanë rezistuar aspak dhe rruga sërish është e dëmtuar dhe e vështirë për qarkullim.

Në ndërkohë, pikërisht infrastruktura e dëmtuar ka bërë që ndërkohë shumë biznese dhe zanate të vjetra të mbyllen./Urim Hasipi/Koha.mk VIDEO

https://fb.watch/jz839xkZKo/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *