Lumezi tregon ‘muskujt’: Askush nuk do të na shpëtojë

Kohëve të fundit ka pasur mobilizim të organeve të ndjekjes e hetuesisë e arrestime të shpeshta e të njëpasnjëshme ndaj kryesve të veprave penale, sidomos ndaj zyrtarëve të insitucioneve të ndryshme.

E aksione të tilla po paralajmërohen edhe në të ardhmen dhe atë me ritëm më të shpesht.

Por kriminaliteti i formave të ndryshme vazhdon edhe më tej të jetë njëra ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës.

Kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi, tha se nuk do të lejojnë që askush të jetë mbi institucionet e shtetit tonë. Dhe të gjithë ata që në njëfarë mënyre shkelin ligjin pavarësisht pozitës dhe rolit të tyre në shoqëri, prokuroria e shtetit do t’i vihet pas.

Sipas tij nëse ka prova dhe fakte të mjaftueshme sigurisht se do të ngrinim aktakuza që edhe ata do të përjetojnë ndjenjën e hidhur të aktakuzës dhe do të ballafaqohen me procedura gjyqësore

Lumezi shtoi se kanë dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do t’i ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit.

Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. 

“Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit”, tha Lumezi.

Kryeprokurori shtoi se shoqëria me të drejtë është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore.

Ai premton se nuk do të lejojnë që asnjë fajtor t’i shmangen përgjegjësisë penale, pavarësisht se nga cili institucion vjen. Mirëpo në anën tjetër do të bëjnë përpjekje për ti siguruar të gjithë qytetarët nga ndjekja dhe hetimet e paligjshme.

“Kemi konfirmuar e dërguar porosi të qarta tek të gjithë pjestarët e grupeve kriminale herët apo vonë të gjithë do të përballen me  drejtësinë”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, tha se edhe tek rasti Jugu sikur edhe tek ai i Ministrisë së Bujqësisë e rastet tjera hetimet kanë filluar më herët. Në rastin e subvencioneve së bashku me policinë, prokuroria ka vepruar për privim nga liria pas provave të mjaftueshme ku edhe janë arrestuar të dyshuarit. 

Sipas tij edhe tek rasti i arrestimit të tetë policëve është filluar me hetime e përgjime të një personi për vepër penale, derisa nga përgjimet ka dalë se janë edhe disa nga zyrtarët policor është involvuar në kryerjen e veprës penale dhe kjo na ka detyruar që të nxjerrim aktvendimi për zgjerimin e hetimeve dhe bashk me policinë e inspektoratin kemi ardhur tek këto rezultate.

Kryeprokurori Lumezi tregoi se edhe në shtator të vitit 2020 është zhvilluar një operacion i madh në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ku me urdhër të prokurorisë u shkatërrua një vatër e madhe
e krimit të organizuar, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të gjërave me vlerë./BotaSot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *