Skandal: Mjeku kosovar që pretendoi se zbuloi shërimin e diabetit, në fakt pacientët e tij i trajton me metodë disa-dekadëshe

Arbër Morina është kritikuar se po mashtron qytetarët kinse ka zbuluar ndonjë metodë të re për shërimin e diabetit, në fakt ai po praktikon një metodë e cila nëpër botë po praktikohet tash e 30 vite

Një mjek nga Kosova tash e një vit është në qendër të vëmendjes shkaku se para pretendoi se i pari ka zbuluar shërimin e diabetit duke mos shpjeguar detaje më të hollësishme për këtë ‘risi’ në mjekësi. Reagimet ishin të shumta si nga njerëz që vuanin nga kjo sëmundje, familjarë të tyre, studentë e profesorë deri tek mjekë ekspertë të çështjes të cilët kryesisht e demantonin mjekun në fjalë duke argumentuar se ‘metoda e re’ po aplikohet në shumë vende të botës tash e disa dekada. Mirpo kritikat dhe demantet nuk kanë qenë të mirëpritura nga Dr. Arbër Morina dhe të njejtët ai i ka fshirë nga postimi ku lajmron këtë metodë.

Kirurgu abdominal, Arbër Morina, po pretendon se sëmundja e pashërueshme e diabetit, në fakt mund të shërohet me metodat kirurgjike. Disa nga reagimet ndaj postimit të Morinës në Facebook, janë nga mjekë, të cilët madje thonë se po ta kishte zbuluar këtë ilaç, Morina do të merrte çmimin Nobel për shëndetësi.

Morina në një postim në Facebook ka shkruar se “Diabeti Mellitus Tip 2 (Insulinë dhe Jo insulinvartës) ose sëmundja e ‘sheqerit’ dhe Obeziteti morbid ose trashja mbinormale, Tashmë shërohen përjetësisht me një teknik minimale invazive me 99% sukses”.

Por të menjëhershme kanë qenë reagimet nga kolegë të tij shqiptar në Gjermani. Një prej tyre, Ali Ademaj, madje i ka kërkuar Morinës që të heq postimin e tij për shkaqe të etikes mjekësore.

“Kjo është e pamundur. Në Klinikën Gjermane ku punojë unë, këso operacione i kena bërë qysh para 25 vjetësh, por asnjë pacient nuk u shërue nga diabeti dhe marrja e insulinës. I nderuari koleg është mirë që këtë postim ta largoni se është kundër etikës mjekësore”, ka shkruar Ademaj.

Një reagim ka ardhur edhe nga një mjek tjetër. Jusuf Ulaj, me profesion neuropsikiatër dhe prikoterapeut, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se po ta zbulonte këtë ilaç, Morina do të ishte fitues i çmimit Nobel për shëndetësi.

Pata shkruar para do kohe për një “mjek popullor” (HR) që thoshte se shëron sëmundjen e sheqerit me nutricion dhe e largon insulinën nga përdorimi. Sot paska dal një doktor – kirurg me diplomë (Arber Morina) dhe ka entuziazmuar aq shumë publikun sa për 4 orë qenka shpërndar nga 600 persona në FB – me shumë komente dhe urime përcjellëse.

Ky kirurg thotë se me “metodë minimale invazive” shëron obezitetin e diabetin dhe insulinës i thotë lamtumirë.

E shkruan numrin e tel. personal dhe fton qytetarët që kanë nevojë t’i lajmërohen.

Jam i sigurt, se zbulimi i ilaçit për shërimin e diabetit dhe largimin e insulinës nga përdorimi të rreth 200 milion përdoruesve/botë do të jetë lajm global dhe zbuluesi do të merr çmimin Nobel. Prandaj kujdes, ruajuni dhe mos merrni turr në kësi ftesa qesharake!”, ka shkruar Ulaj.

Ndërkaq lidhur me postimin e Morinës, ka reaguar edhe drejtoresha e Klinikës Endokrinologjike në QKUK, Venera Berisha – Muharremi.

Në një artikull shkruar për media, Berisha – Muharremi ka thënë se Pas Burdushit dhe Hetem Ramadanit tani fatkeqësisht edhe doktori manipulon me Diabetikët dhe Obezët.

Ndërkaq, në postimin e Morinës janë edhe disa komente tjera, reagime nga endokrinolog të cilët kanë hedhur poshtë mundësinë e shërimit të diabetit, e aq më pak me metoda kirurgjike.

Zotëri a e din ti se diabeti melit është sëmundje e pashërueshme? Është sëmundje kronike, progresive metabolike trajtimi i së cilës bëhet me protokolle të caktuara ndërkombëtare.

Bëhu serioz dhe puno në degën për të cilën ke kry shkollimin. Dr. Valton Saiti, internist – endokrinolog”, thuhet në një koment të postuar nga Ilir Saiti.

Persona të tjerë thonë se metoda e tij është shumë e rrezikshme pasiqë ai po ua largon pacientëve pankreasin apo lukthin.

Kujtojmë se përveç Morinës edhe mjeku popullor Hetem Ramadani pati pretenduar se e kryen shërimin e diabetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *