Futboll: KF Gostivari pas një dekade kthehet në Ligën e Parë

DREJTUESIT E KLUBIT PROJEKTOJNË PLANET PËR SEZONIN E ARDHSHËM

Klubi i futbollit Gostivari pas fitores kundër Borecit 4-0, në ndeshjen e javës së 29-të kampionatit në Ligën e dytë edhe zyrtarisht siguroi kualifikim në elitën e futbollit vendor.

Skuadra e Gostivarit rikthehet në Ligën e Parë pas plotë një dekade. Plasmani është më se i merituar, pasi me Voska Sport nga Ohri treguan lojë cilësore gjatë gjithë kampionatit, njofton KlanM.

Drejtuesit e klubit, fillimisht do të festojnë, kurse më pas do t`i projektojnë planet për Ligën e Parë.

Faktikisht kemi një vizion, kemi një plan, ne kemi biseduar se vitin e parë në Ligën e parë të mbijetojmë. Po që se kemi mundësi me disa përforcime, me ato që i kemi por nevojiten edhe përforcime tjera. Ne do të mundohemi ta përforcojmë Gostivarin që të mbijetojmë. Dhe të mos na ndodhë ajo që ka ndodhë në vitin 2013” – tha Muhamed Ismaili, drejtor sportiv.

Sipas trajnerit, Biroll Topçiu, stabiliteti financiar i klubit me investues nga Turqia, kanë bërë që Gostivari sërish të kthehet në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Në sezonin 2022/2023, si që dini kemi finansues nga Turqia. Me angazhimin e kryetarit Enes Usta, ne bëmë një organizim një planprogram edhe këtë vit si duket e kemi arritur qëllimin me fitore” – tha Byroll Topçiu, trajner.

Ne kemi punuar e gjithë kohën maksimalisht në mënyrë profesionale dhe deri këtu ia kemi arritur me shumë djersë  dhe shumë mund” – tha Enis Dervishi, futbollist.

Futbollistëve të Gostivarit, nuk u ka munguar as edhe përkrahja e tifo-grupit “Kastriotët”, që kanë ndjekur ekipin e zemrës në ligë të tretë e të dytë. Premtojnë se në Ligë të Parë do të jetë ndryshe.

“Mendoj se jo vec ne si “Kastriot” por i gjithë qyteti mendoj se do të ketë përkrahjen maksimale se ka pasur gati një mungesë dhjetë vite. Mendoj se mobilizimi dhe përkrahja do të jetë dyfish më e madhe se sa në ligë të dytë e ligë të tretë” – tha Ferat Emro, tifo grupi ”Kastriotët”.

Tashmë për sezonin 2023/2024 dihen 11 ekipe që do të garojnë në Ligën e Parë. Për ekipin e 12-të do të vendos balotazhi. Vardari pret kundërshtarin nga Liga e parë midis ekipeve të Skopjes dhe Akademia Pandevit.

Të rikujtojmë se në sezonin e ri futbollistik të Maqedonisë së Veriut, në mesin e 12 ekipeve, 5 janë shqiptare. Strugës, Shkupit dhe Shkëndisë së Tetovës, këtë vit iu bashkangjitën edhe Voska Sport dhe Gostivari. /Shaban Sinani/KlanMacedonia/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *