Sot ora 12 shpallet vendimi i gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Sot në ora 12:00 në Gjykatën Themelore të Tetovës do të shpallet aktvendimi për rastin zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, shkruan Portalb.mk.

Gjykimi për këtë rast mbaroi javën e kaluar (29 maj) me fjalët përfundimtare nga ana e Prokurorisë dhe palëve, ndërkaq gjyqtari i lëndës, Jordan Vellkovski bëri të diur se aktgjykimin do e bëjë të ditur sot (5 qershor) në ora 12:00.

Gjykimi për këtë rast filloi me 6 shtator 2022 dhe mbaroi me 29 maj 2023, gjithsej janë mbajtur katërmbëdhjetë seanca, disa prej të cilave u shtynë.

Familjarëe viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtuan mundësinë e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Dy ish drejtorëtnuk ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarritBesimi dhe Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar.  Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e pandemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, të akuzuarit nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Për zjarrin janë kryer katër ekspertiza. E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri. E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë. E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital. E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *