Çair, votohet zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov”/Këshilltarët “pro”,  por skeptik për realizimin  në kohë të projektit

Me 27 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur këshilltarët e Komunës së Çairit në një mbledhje të jashtëzakonshme miratuan vendimin për bashkëpunim ndërkomunal mes qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit për ndërtimin apo zgjerimin e rrugës Cvetan Dimov.

Këshilltarët uruan njëri-tjetrin dhe shprehën gëzimin që më në fund një problem me të cilin përballen çdo ditë qytetarët e kësaj komune do të zgjidhet, por në të njëjtën kohë kanë dilema rreth kohëzgjatjes së projektit, i cili është planifikuar të zgjasë tre vjet, si dhe buxhetit që është përcaktuar.

“Parashtrohet pyetja se a do të realizohet në kohën e paraparë në vitin 2025 që më pas ne të jemi krenarë me një projekt të realizuar në mandatin që kemi qenë këshilltarë”, tha Muhamed Krasniqi – këshilltar AAA.

“Jam e gëzuar shumë që nga kjo rrugë gjegjësisht nga rruga Cvetan Dimov, do të hiqet muri i cilësuar nga qytetarët si muri i turpit, i cili përveç një simbolike jo të bukur që kishte, ai prej ku u vendos paraqiste problem të madh veçanërisht në kohën kur në atë rrugë duhet të qarkullonte automjet i ndihmës së shpejtë”, deklaroi Nafie Selmani – këshilltare e pavarur.

“Maksimalisht të bëhet presion mbi realizimin sepse besoj që do të vijmë deri te faza e realizmit. Të bëhet presion maksimal që të mos zgjase periudhë të gjatë”, pohoi Gjoko Vellkovski – këshilltar VMRO-DPMNE.

I pari i komunës Visar Ganiu u tha këshilltarëve që muri ndarës në këtë rruge është vendosur përkohësisht si zgjidhje që ka dhënë efekt të mirë. Sa i përket financave që kapin vlerën prej 2.3 milionë euro Ganiu vlerëson se janë mjaftueshëm.

“Atë që e kemi premtuar bashkërisht me ju që është momentale sot po e bëjmë realitet që rruga ta mrer epitetin bulevard i vërtetë në të ardhmen. Stilistikisht është një rrugë që lidh afër 140 mijë banorë që është një e treta, më shumë se një e treta e Qytetit të Shkupit dhe ky ka qenë një investimi i domosdoshëm”, tha Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Një javë më parë ndërtimi i Bulevardit “Cvetan Dimov” mori dritë jeshile në mbledhjen e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Ganiu tha se së shpejti do të thërret një konferencë të përbashkët për media së bashku me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska për të ndarë detaje rreth projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *