100 ditë qeverisje të ASH-së/ Taravari: Maqedonia e Veriut vend më i mirë se para 100 ditëve

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari sot para mediave prezantoi arritjet e kësaj partie gjatë 100 ditëve të para të  qeverisjes, duke potencuar se para 100 ditëve vendi ndodhej në kriza të ndryshme ndërsa tani gjendja është shumë më e mirë. Sipas tij më herët kishte korrupsion të lartë dhe vendi ishte i paralizuar ndërsa shpreson që deri në fund të mandatit, besimi në drejtësi të mos jetë ai që është momentalisht.

“100 ditë më parë vendi ishte i paralizuar, kishim kriza globale, ekonomike dhe energjetike. Kishim krizë vendore të korrupsionit dhe të ndryshimeve kushtetuese. Përballë kësaj paralize, ne duhej të vepronim. Në koordinim me miqtë ndërkombëtarë vendosëm të bëhemi pjesë e Qeverisë. Ky ishte një vendim shumë i vështirë por ne e bëmë për të stabilizuar shtetin dhe për t’u dhënë perspektivë qytetarëve që po ikin në masë të madhe. Koha po dëshmon që kishim të drejtë. Pjesëmarrja jonë në Qeveri ka shumë kufizime, në radhë të parë janë kufizimet kohore. Është e pamohueshme se sot Maqedonia e Veriut është një vend shumë më i mirë se para 100 ditëve.”- deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Por çfarë thoshte Taravari para se të bëhej pjesë e Qeverisë? Ai më 17 gusht 2022 pati shkruar se shteti po gjendet në një udhëkryq dhe buzë greminës. E me këtë, ai kërkonte qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky propozim del mbi çdo koncept partiak, madje edhe mbi vet partinë pasi gjendemi jo në një udhëkryq por fatkeqësisht buzë greminës. Nuk ka as një minutë kohë për lojëra politike apo për pseudo-strategji! Kovaçeski duhet të mbledhë menjëherë partitë politike dhe bashkë me to të mbledhë dhe mendjen, kurse partitë të vihen në front të kësaj pune që duhet zgjidhur ose tani ose ndryshe nuk do të ketë më vend për asnjë zgjidhje, nuk do të ketë ç’ujë të hidhet mbi një zjarr të shuar por që ka djegur gjithë vendin.

E sa i përket propozimit të Kovaçevskit sot në takim me Mickoskin që nëse mbështeten ndryshimet kushtetuese të shkohet në zgjedhje, Taravari tha se këtë propozim ai e ka dhënë që para 5 muajve dhe nuk ka asgjë kundër që kjo të ndodhë.


“Nga janari apo shkurti kam thënë, para se gjithash dhe më e rëndësishmja. Nuk janë gjithmonë në pyetje interesat partiake, në situata të tilla në pyetje është interesi shtetëror dhe interesi i të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni. Për gjithçka jemi të gatshëm vetëm të gjendet zgjidhje dhe t’i fillojmë negociatat. “- tha Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.

Sipas Taravarit, ndryshimet kushtetuese janë tejet të nevojshme për vendin sepse po ndodhi që Shqipëria të ndahet në rrugën drejt integrimeve, vendi do të izolohet sikur në vitin 2008.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *