Borrell raporton për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të flasë sot në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për çështje të tjera të lidhura me Ballkanin Perëndimor.

Sipas paralajmërimeve të BE-së, Borrell pritet t’iu raportojë ministrave edhe për vizitat që ka zhvilluar së voni në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Javën e kaluar, edhe vetë Lajçak ka folur para ambasadorëve të vendeve anëtare për këto vizita.

Ai ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut, si dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian pret që dialogu të vazhdojë menjëherë pas krijimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe të institucioneve të tjera, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Qëllim i dialogut, sipas BE-së, vazhdon të jetë arritja e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit të sotëm të ministrave të BE-së do të diskutohet edhe për Bosnje e Hercegovinën.

Pesë shtete të BE-së kanë paraqitur një dokument, përmes të cilit kërkojnë një angazhim më të madh të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe ndihmë për këtë shtet për të forcuar funksionalitetin dhe për të përmbushur kushtet për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian është i fokusuar më së shumti në masat kundër pandemisë së koronavirusit, por në këtë kohë disa shtete kanë kërkuar që nga fokusi të mos hiqet as rajoni i Ballkanit Perëndimor, as procesi i zgjerimit, e as bashkëpunimi politik mes BE-së dhe shteteve të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *