Çfarë parasheh votëbesimi që u kërkua nga Zaevi (Foto)

Kryeministri Zoran Zaev kur kërkoi votëbesimin e Qeverisë, u thirr në nenin 217 të Rregullores së punës së Kuvendit.

Sipas këtij neni, parashihet që votëbesimi të votohet në afat prej 3 ditësh, ndërkaq ai nuk duhet t’i nënshtrohet debatit paraprak në rast se i njëjti parashtrohet në formë gojore nga ana e kryeministrit në seancë plenare.

“Në rast se çështja e besimit të Qeverisë parashtrohet nga kryetari i Qeverisë në formë gojore në seancë të Kuvendit, Kuvendi voton për besimin e Qeverisë në të njëjtën seancë, pa debat”, thuhet mes të tjerash në nenin 217 të Rregullores së Kuvendit, transmeton TV21.

Thirrja për votëbesim është vendosur menjëherë në rend të ditës së seancës nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, por thirrja në nenin 217 dhe mosmundësia për debat ndaj kësaj pike, ka revoltuar opozitën shqiptare dhe maqedonase.

Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE-ja ka vlerësuar se me këtë veprim, Zaevi tenton t’i fsheh krimet, ndërkaq Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA thotë se me këtë veprim shumica tenton të tregojë se është stabile dhe mos të japë llogari për shkeljen e të drejtave për shqiptarët.

Kuvendi është në pauzë dhe pritet të rikthehet për pak minuta.

Nëse votohet mosbesimi i Qeverisë, atëherë kryeministri duhet të japë dorëheqje për 24 orë. Për mosbesimin e votuar dhe për dorëheqjen Kuvendi i njofton deputetët menjëherë, parashihet me Rregulloren e punës së Kuvendit./TV21

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *