“Elem Turs” ndahet nga ESM ndërsa Kodra e Diellit do të privatizohet pjesërisht

Sot në seancën e 51 të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është vendosur që kompania e cila menaxhon me Kodrën e Diellit, “Elem Turs” e që aktualisht funksionon nën “AD ESM” të ndahet dhe të funksionoje si e pavarur. Gjithashtu është vendosur që “Kodra e Diellit” të shkoje me modelin publiko-privat dhe që të bëhet shpallja për personat juridik të interesuar, shkruan Portalb.mk.

Kjo sipas iniciativës “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” është një hap i ngadaltë por i sigurt për “çlirimin” e Qendrës Turistike “Kodra e Diellit”.

Nga kjo iniciativë rikujtojnë se pikërisht kjo ishte një ndër kërkesat e tyre në takimin e parë të Komisionit për Kodrën e Diellit, të mbajtur me datë 23 shkurt, ata shtojnë se tashmë mund të thuhet se Kodra e Diellit po i afrohet sektorit privat.

“Resotrti Turistik “Kodra e Diellit” dalëngadalë po çlirohet. Sapo informoi institucioni bartës i grupit punues (Ministria e Ekonomisë) se kërkesa e cila u kërkua nga të gjithë përfaqësuesit në mbledhjen e parë të grupit punues , që “Elem Turs” të ndahet nga ESM – Maqedoni, ky propozim u miratua ne mbledhjen e sotme të datës 09.03.2021 dhe tani vazhdojnë procedurat në vijim për kompletimin e procedurës ligjore” shkruajnë nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Sulemani nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” potencoi se aktualisht duhet të rifillohet me planifikimin konkret për privatizimin e pjesshëm të kësaj qendre turistike, në mënyrë që të ju lehet sa më shpejtë hapësirë investitorëve të investojnë.

“Njëkohësisht pas kësaj procedure te ndërlikuar te rifillohet menjëherë me planifikimin konkret për të formuar partneritetin publiko-privat ku qendra turistike “Kodra e Diellit” do i ofrohet sektorit privat, kompanive të ndryshme botërore për të investuar në të dhe të zbarkoje një e nesërme me e ndritshme pre ketë qendër” tha Hamdi Sulemani nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Bekteshi: Me këtë vendim, do të krijohen kushte për investime të reja në Kodrën e Diellit

Ministria e Ekonomisë ishte iniciatorë e formimit të Komisionit për Kodrën e Diellit, fryt i të cilit ishin edhe vendimet e fundit qeveritare për këtë qendër turistike.

Për këtë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kumtoi vendimin e fundit të Qeverisë së RMV-së për atë se tashmë “Elem Turs” do të funksionoje si subjekt i pavarur dhe për fillimin e procedurës për privatizim të pjesshëm të kësaj qendre turistike.

“Qeveria sot mori vendim SHA ELEM Turs të ndahet nga SHA EEM dhe do të funksionojë si subjekt i pavarur. Më pas do të fillojë procedurë për Partneritet Publik Privat (PPP) për zhvillimin e Ski-qendrës Kodra e Diellit. Me këtë vendim krijohen kushte për investime të reja në zhvillimin e Kodrës së Diellit” shkruan ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në “Fejsbuk”.

Ndryshe, analiza e situatës aktuale në Kodrën e Diellit, plani detal urbanistik si dhe mundësia e heqjes së “Elem Turs” nga pozita e menaxherit me këtë qendër turistike, të gjitha këto ishin diskutuar me datë 23 shkurt në takimin e parë të Komisionit për Kodrën e Diellit ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të shoqërisë civile dhe të disa ministrive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *