Erdogani tërheq Turqinë nga një marrëveshje ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e tërhoqi vendin nga një marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e grave, sipas një njoftimi zyrtar, duke u bërë objekt kritikash nga ata që thanë se marrëveshja është e nevojshme për të trajtuar dhunën në familje që është në rritje.

Marrëveshja e Këshillit të Evropës, e quajtur Konventa e Stambollit, parashikon parandalimin, ndjekjen penalisht dhe eleminimin e dhunës në familje si dhe forcimin e barazisë gjinore. Turqia e nënshkroi atë në vitin 2011 por vitet e fundit numri i grave të vrara në vend është rritur.

Qeveria nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë vendim. Por zyrtarët e lartë thanë se të drejtat e grave do të mbrohen me anë të ligjit të vendit se sa me sajesat nga jashtë.

Konventa e Stambollit e kishte përçarë Partinë AKP në pushtet të zotit Erdogan dhe madje edhe familjen e tij. Vitin e kaluar, zyrtarët thanë se qeveria po mendonte të tërhiqej nga konventa në klimën e mosmarrëveshjeve se si të frenohej dhuna në rritje ndaj grave.

Marija Pejcinovic Buric, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Evropës prej 47 vendesh, e quajti vendimin e Turqisë “demoralizues” duke pasur parasysh dhunën me të cilën përballen gratë dhe vajzat.

Politikanët e opozitës thanë se zoti Erdogan me ligj nuk mund të veprojë pa pëlqimin e parlamentit. Por shumë konservatorë në Turqi dhe në partinë e tij islamiste AKP, thonë se konventa minon strukturat familjare, duke inkurajuar dhunën.

Disa janë gjithashtu armiqësorë ndaj parimit të Konventës së Stambollit për barazinë gjinore dhe e shohin atë si përkrahje të homoseksualitetit.

KRITIKËT

Kritikët kanë thënë se tërheqja do ta largonte më shumë Turqinë nga Bashkimi Evropian. Ata argumentojnë se konventa dhe legjislacioni përkatës, duhet të zbatohen më rigorozisht. Turqia vazhdon të jetë kandidate për anëtarësimin në bllok.

Gjermania tha se vendimi i Turqisë dërgon një singal të gabuar. “As traditat kulturore, as fetare e as traditat e tjera kombëtare nuk mund të shërbejnë si justifikim për të injoruar dhunën ndaj grave,” tha ministria e jashtme.

Turqia nuk mban statistika zyrtare mbi vrasjen e grave.

Por niveli i vrasje pothuajse është trefishuar në 10 vitet e fundit, sipas një grupi që monitoron këtë dukuri. Gjatë këtij viti, tha grupi, në Turqi janë vrarë ose kanë vdekur në rrethana të dyshimta 78 gra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *