Evidentohet manipulimi brenda listës së VV-së – “vjedhja” e votave të Arben Vitisë

Arben Vitisë dyshohet se i ishin hequr 58 vota që kishte fituar ditën e zgjedhjeve në një vendvotim në Komunën e Gjilanit.

Ish-ministri i Shëndetësisë, kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare, rezultonte të ketë fituar vetëm 7 vota në vendvotimin e identifikuar me numrin “0401X – 14R” në Gjilan, bazuar në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve.

Por, në procesin e rinumërimit të 134 vendvotimeve, i cili u përmbyll sot, Vitisë i janë shtuar 58 vota, ka mësuar Gazeta Insajderi nga burime brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ato dyshohet se ishin manipuluar me rastin e mbushjes së Formularëve të Rezultateve të Kandidatëve, për t’iu kaluar, së paku, pesë kandidatëve të tjerë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përveç Vitisë, viktimë e manipulimit të votave në këtë vendvotim kanë rezultuar të kenë qenë edhe gjashtë kandidatë të tjerë për deputetë. Dy prej tyre figurojnë të jenë dëmtuar më shumë sesa Vitia.

Arbreshë Kryeziu, e cila vjen nga Gjilani, rezultoi të ketë fituar vetëm dy vota në vendvotimin e rinumëruar gjatë kësaj jave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Rinumërimi dëshmon se ajo ishte dëmtuar për 94 vota.

Flikot e FRK-ve, sipas rezultateve preliminare për kandidatët për deputetë

Një pjesë e madhe e 92 votave që iu manipuluan asaj, dyshohet t’i kenë kaluar Arbër Rexhajt, kandidatit tjetër të Lëvizjes. Rexhaj, i cili rezultonte si fitues i 92 votave në të njëjtin vendvotim, ka rënë në dy vota të fituara në këtë vendvotim, sipas procesit të rinumërimit.

73 vota më shumë sesa që figuronin në flikot e FRK-së, Arijeta Rexhepit i janë shtuar me rinumërimin e vendvotimit numër “0401X – 14R” në Gjilan. Edhe kjo kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje del të jetë dëmtuar në Komunën e Gjilanit.

Sipas informatave që posedon Insajderi, me dhjetë vota në këtë vendvotim ka rezultuar si e dëmtuar edhe kandidatja Shqipe Mehmeti-Selimi, me nëntë të tjera ish-deputeti Hekuran Murati, aq sa dhe Fitim Uka, kandidati tjetër në listën për deputetë të VV-së.

Përfitues të votave të manipuluara në vendvotimin në Gjilan, përpos Arbër Rexhajt me 90 vota, ka dal edhe Valon Ramadani me 77 vota dhe Donika Gërvalla me 67 sosh. Ata pasohen nga Gani Krasniqi, i cili rezultoi të mos ketë fituar asnjë votë, ndonëse në flikot e FRK-së dilte si fitues i 18 votave.

Rinumërimi i 134 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it dhe 7 të tjerave, sipas vendimit të KQZ-së, është përmbyllur sot.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se janë ende në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion.

“Rinumërimi i 134 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it dhe 7 të tjerave sipas vendimit të KQZ-së, është përmbyllur gjatë ditës. Tashmë jemi në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion”, ka thënë Elezi për Insajderin.

“KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin, në mënyrë që të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar ai.

Procesi i rinumërimit të votave filloi pas ankesave të parashtruara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa lidhur me pretendimet për manipulimin e votave të kandidatëve.

Dyshimet për manipulim me këto vota nxori në pah edhe një përgjim i publikuar në Gazetën Insajderi të shtunën.

Ky audio përgjim zbulon përfshirjen e Arbër Krasniqit, një komisioneri të KQZ-së në Qendrën e Numërimit të Votave, i cili tregon të jetë korruptuar me para nga Dardan Stublla, bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stubllës, ish-ministres së Jashtme të Kosovës. Stublla ka mohuar pretendimet e shfaqura në audio përgjim. /Insajderi.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *