Glauk Konjufca: Kjo fitore plebishitare e popullit për ndryshim, ishte e domosdoshme

Nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve të zgjedheve që u mbajtën më 14 shkurt, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se po lëmë pas një vit të vështirë duke u ballafaquar edhe me rrëzimin e qeverisë në mes të pandemisë.

“Ishte rast i pashembullt kur lufta për pushtet kalon çdo kufi e imagjinatë dhe nuk e ka as respektin minimal njerëzor për shëndetin publik”, tha ai.

Konjufca tha se kjo fitore plebishitare e popullit për ndryshim, ishte e domosdoshme.

Postimi:

“Qytetarë të dashur,

Ne e lamë pas një vit të vështirë. Bota u pllakos nga një pandemi e pazakontë. Jetët tona ndryshuan rrënjësisht. Ekonomia në çdo cep të globit u godit rëndë.

Në të njëjtën kohë, përkundër kësaj fatkeqësie, qytetarët tanë ishin plot shpresë për shkak se më 3 shkurt 2020 u zgjedh një qeveri e shumëpritur. Ama qe veprim fort i paskrupullt rrëzimi i qeverisë Kurti mu në mes të pandemisë, veç 50 ditë pasi e filloi punën e mirë. Ishte rast i pashembullt kur lufta për pushtet kalon çdo kufi e imagjinatë dhe nuk e ka as respektin minimal njerëzor për shëndetin publik.

Kjo luftë për pushtet shkoi aq larg sa që shtetit tonë ia dha njollën më të pamendueshme të turpit: një qeveri të paligjshme për herë të parë në historinë e Kosovës.

Prandaj ky rezultat zgjedhor i përmasave të referendumit dhe kjo fitore plebishitare e popullit për ndryshim, ishin të domosdoshme.

I falënderoj nga zemra dhe me respekt të thellë të gjithë qytetarët e vendit tim për sjelljen e lartë demokratike dhe ndryshimin e madh që e sollën përmes zgjedhjeve të lira. Vota juaj e përgjegjshme ia dha një drejtim të ri politik e fort të nevojshëm atdheut tonë”– tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *