Hoxhaj: PDK nuk e mbështet Vjosën presidente, është figurë përçarëse

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente të vendit, pasi që kjo parti vlerëson se ajo nuk është një figurë unifikuese, por përçarëse. Kjo parti kërkon që për president të jetë një person i pavarur politikisht, e këtë sipas tyre nuk e përfaqëson Osmani.

Kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, në një konferencë për media, ka treguar arsyet se pse nuk e mbështesin Vjosa Osmanin për presidente.

Ai tha se Osmani është një kandidate partiake dhe se kandidatura e saj është propozuar në logjikën e shantazhit, derisa shtoi se në vend që mazhoranca të dalë me një kandidat që përfaqëson të gjithë shoqërinë, po kërcënon me zgjedhje të reja.

Si arsye për mos mbështetje për Osmanin presidente, Hoxhaj tha se ajo nuk ka një platformë të qartë se për çka qëndron për një varg temash të brendshme dhe të jashtme, të cilat tha se janë jetike për të ardhmen e shtetit.

“Ne kemi disa arsye pse PDK nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente. Së pari, Osmani nuk ka qenë një figurë unifikuese, por ka qenë një figurë skajshmërisht përçarëse. Ju e dini që karrierën e saj politike ajo e ka ngritur në Kosovë në frymën e përçarjes, të polarizimit dhe kundër parimit të unitetit. Së dyti dhe këtë duhet ta dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, ajo është një kandidate partiake jo konsensuale për të qenë presidente e vendit. Vetëvendosje sikurse para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve nuk kërkon konsensus me subjektet e tjera politike për të bërë një zgjidhje të duhur në shërbim të shoqërisë”, tha ai.

Hoxhaj tha se Osmani është treguar e njëanshme sa ka qenë ushtruese e detyrës së presidentit, duke thënë se nuk e ka përfaqësuar këtë institucion si figurë mbipartiake. Madje, ai tha se Osmani e ka përdorur Zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike që në fund të ditës i është bashkuar Vetëvendosjes.

Ai tha se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë i pavarur politikisht dhe assesi i varur partiakisht, e sipas tij një gjë të tillë nuk e dëshmon Vjosa Osmani. Ai tha se ajo e ka dëshmuar se është në diktatin total të kryeministrit Albin Kurti dhe do t’i shërbejë interesave të tij.

Po ashtu, Hoxhaj tha se kandidatja për presidente nuk është institucionaliste, por populiste dhe se ka dëshmuar se nuk e respekton protokollin dhe se i mungon kultura minimale institucionale.

Arsye tjetër se pse nuk kanë votë për Vjosa Osmanin, Hoxhaj tha se ajo udhëhiqet nga kalkulimet, që si shembull mori qëndrimin e saj sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Zgjedhja e Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion shumë të rrezikshëm, ku de jure dhe de facto pushteti do të koncentrohej në duart e një partie dhe në duart e një njeriu – Albin Kurtit. Meqë Kurti deri më tash ka treguar një logjikë dhe një mundësi autoritare do të ishte e rrezikshme që Presidenca, Kuvendi, Qeveria të kontrollohen nga një parti dhe nga një njeri. Prandaj, kjo do ta dëmtonte mekanizmin e kontrollit dhe të balancës së pushtetit në Kosovë. PDK është kundër një sistemi një partiak që ta udhëheqë vendin dhe ne jemi për një kandidat konsensual, i cili do t’i shërben shtetit, shoqërisë dhe çdo qytetari në Kosovë”, tha Hoxhaj.

Pavarësisht se kërkojnë një kandidat konsensual për president, Hoxhaj tha se si parti opozitare nuk do të propozojnë asnjë emër për president.

“Nuk mendojmë që është detyrë e jona që të dalim me kandidat për president, meqë zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, i takon shumicës që ta udhëheqë një proces të tillë, po i takon Kurtit dhe Osmanit që nëse kemi qenë në garë mbas 14 shkurtit, më nuk jemi të njëjtë ta përfaqësojmë unitetin e shoqërisë dhe unitetin e popullit dhe unitetin e shtetit. Nëse ata do të dalin me një figurë, e cila do ta përfaqësonte shoqërinë në Kosovë, natyrisht që PDK-ja do ta merrte në konsideratë një emër i cili përfaqëson popullin e Kosovës”, tha ai.

Deri më tani nga partitë opozitare vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar se do ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të vendit, ndërsa edhe AAK është deklaruar se nuk do ta përkrahin./Kosovapress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *