“I thash: ’Jam plakur, s’mundem më’” – Haradinaj zbulon detaje nga biseda brenda takimit me Kurtin

Kryetari i Aleancës për Arhdmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje arritja e numrave për zgjedhjen e presidentit, pas një takimi që realizoi sot me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Haradinaj mohoi të jetë marrë vesh me Kurtin dhe Osmanin lidhur me çështjen e presidentit, por tha se Aleanca nuk e përkrah koncentrimin e pushtetit në një dorë të vetme.

“Ne mendojmë se funksioni ynë opozitar është i rëndësishëm në kohën që vjen për funksionimin e demokracisë tonë”, tha Haradinaj.

“Kanë kërkuar nga Aleanca një konstruktivitet, dhe në këtë rast është e kuptueshme se Aleanca është parti konstruktive opozitare, ka përvojë në opozitarizëm. Dikur opozitën e kemi bërë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, është shprehur kreu i AAK-së.

“I tregova z. Kurti, i thash që nuk do të jenë ato metodat tona të vjetra të opozitarizmit që i kemi pasur së bashku, sepse edhe unë nuk mundem më me ato metoda… jam plakur, por do të jemi një opozitë me ua kujtuar juve funksionimin e demokracisë pozitë-opozitë”.

Haradinaj tha se është përgjegjësi e plotë e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje çështja e presidentit.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën me formu qeverinë. Në këtë rast ne nuk e kemi mundësinë me i kriju 2/3-at në kuvend. Detyra ynë nuk është të përkrahim koncentrimin e pushtetit në një dorë. Është përgjegjësi e tyre se si i bëjnë 2/3-at”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *