Karl Gurakuqi, hulumtuesi i fjalëve të rralla në gjuhën shqipe

126 vjet më parë lindi në Shkodër profesori, leksikografi, historiani dhe gjuhëtari i madh Karl Gurakuqi.

Mësimet fillore i kreu në Shkollën Françeskane, shkollën e mesme e kreu në Salzburg dhe studimet e larta i kreu në fakultetin e Filozofisë në Grac.

Bashkëpunëtor i Koliqit në “Shejzat”, Karl Gurakuqi e kishte përftuar vokacionin e tij të gjuhëtarit dhe leksikografit si sekretar i të famshmes Komisis Letrare Shqipe, themeluar mbi 100 vjet më parë nga një plejadë intelektualësh, si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Sotir Peçi, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi etj., me mbështetjen e albanologëve austriakë Maksimilian Lamberc dhe Rajko Nahtingal.

Sa kohë ishte në Shqipëri, ai drejtoi të përkohshmet: “Agimi” (1920-1922), “Revista Pedagogjike” (1925-1927), “Mësuesi”, (1928), “Shkolla kombëtare” (1938) dhe redaktoi revistat“Atdheu”, e “Illyria” (në periudhën e dytë,1935-1936), ku botoi në 36 numra rresht një fjalorth fjalësh të rralla me shpjegimet përkatëse.

Më 1944 u zhvendos në Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos. Bashkë me R. Petrotten e G. Valentinin themeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, e cila, me konferencat e botimet e saj e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës.

Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktivë të revistës “Shejzat”, e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime dhe drejtoi rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike”.

Për pasionin e Karlit në gjurmimin e fjalës shqipe, Ernest Koliqi shkruan:“Dashunia e Karlit për gjuhën shqipe qe dhe asht e zjarrtë sa m’u quejt pasion. Qysh në moshën ma të re nisi me mbledhë fjalë e skaje. Sa ndëgjonte udhës, në pazar, në ndonji dyqan, a në kafe ndokend tue përdorë ndonji thanie të rrallë, ndonji synonim të panjoftun nxirrte laps e tefter dhe i shënonte. Kështu erdhi tue grumbullue làndën e fjalorit të shqipes, rreth të cilit shkrini mund në të tànë jetën e vet”. / DiasporaShqiptare / KultPlus.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *