Kosovë: Prokuroria fillon hetimin për “manipulimin me vota” nga Adriana Hoxhiq e Lista Serbe

Nga Valon Rashiti, Albanian Post

Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, e cila tha se ky organ i akuzës është duke i marrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast.

“Nuk mundemi tregu për rrjedhën e procedurës, sepse mund të na prishen hetimet”, tha Pula.

Lista Serbe në Kosovë përveç 10 ulëseve të rezervuara për deputet në Kuvend, pritet të marrë mbështetje edhe të komuniteteve tjera në legjislativin e ri.

Kjo parti politike, në zgjedhjet e 14 shkurtit, u ka thënë një pjese të votuesve të vetë, që të mos votojnë kandidatët për deputetë nga Lista, por të votojnë persona të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas ata persona të futen në parlament dhe të kontrollohen nga Lista Serbe.

Kryetarja e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, pati thënë për Albanian Post se këtij qëllimi ia kanë arritur, pasi disa kandidatë të komuniteteve kanë marrë vota më shumë nga serbët sesa nga komuniteti i tyre.

Fuqizimin e kësaj liste në Kuvendin e Kosovës përmes kësaj forme, duke dirigjuar edhe deputetët të komuniteteve të tjera, përveç 10 deputetëve serbë që u garantohen si vende të rezervuara, e kanë diktuar, por s’kanë si ta ndalin partitë politike shqiptare.

“Është mjaft tragjike që abuzimi i vullnetit zgjedhor nga Lista Serbe që ka ndodhur brenda komunitetit serb për vite me radhë, tani është shtrirë edhe në komunitetet e tjera të pakicave”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post të dielën, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç.

Ajo ka deklaruar se Lista Serbe është “dorë e zgjatur” e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Sipas saj, kreu i shteti serb, po abuzon me votat e serbëve duke i detyruar të votojnë njerëzit e komuniteteve tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *