Kurti : S’ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk njihet Kosova e pavarur

Mandatari për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar programin qeverisës të tij duke thënë se do të reformojë sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit e ekonomisë.

Kurti derisa ka folur për qeverisjen e tij ka thënë edhe se raportet fqinjësore do t’i avancojnë mbi bazën e reciprociteti dhe fqinjësisë së mirë dhe se pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimi i së vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe në mes të dy shteteve.

“Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe dy shteteve. Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi e demokratizimi i saj, drejtësia për të e tek ajo, le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Ne kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 2 korrik 1990 dhe me 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia të shpall pavarësinë e saj nga Kosova e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO në BE dhe NATO”, tha Kurti.

Kurti tha se do të punojnë pa reshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Do të punojmë pa reshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë për Kosovë, Ballkani Perëndimor duhet të demokratizohet përveçse duhet të zhvillohet. Nuk mund të ketë zhvillim pa demokratizimi siç mendohet se mund të arrihet përmes disa iniciativave rajonale. Që të dyja duhet të ecin paralelisht në kuadër të anëtarësimit në BE. Që integrimi dhe demokratizimi të shpejtohet do të insistojmë për një plan mini-marshall nga BE për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kurti para deputetëve të legjislaturës së tetë.

Ai tha edhe se do të bëjnë padi ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Do të ngre padi ndaj krimit dhe gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë. Themelimi i institutit për hulumtimin e krimeve gjatë luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionit dhe kompetent. Fuqizimi i departamentit për krime lufte brenda prokurorisë speciale me një numër të mjaftueshëm prokurorësh e bashkëpunëtorësh”, tha ai.

Ai ndër tjera tha se do të kenë thellim dhe rritje të bashkëpunimit bilateral me partnerët strategjik në krijimin dhe afatësimin dhe kapaciteteve të plota ushtarake mes Shqipërisë dhe ShBA-së.

“Do të ketë thellim dhe rritjet të bashkëpunimit bilateral me partnerët strategjik në krijimin e aftësimit dhe kapaciteteve të plota ushtarake sidomos me Shqipërinë dhe SHBA dhe do të përgatitemi që të bëjmë Kosovën anëtare të kartës së Adriatikut. E deri sa punojmë në reformat e vendit po ashtu do të reformojmë edhe qasjen tonë jashtë vendit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran kompromiset që janë kërkuar e që  kanë qenë të dëmshme janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmimi  i paguar për shpalljen e pavarësisë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë dhe nuk do ta bëjmë”, tha ai.

Ndërkohë që Kurti ka thënë se pandemia mbetet sfida kryesore por që thekson se brenda vitit do të sigurojnë vaksinat antiCOVID-19 për 60 përqind të popullsisë.

“S’ka dyshim që pandemia mbetet sfida kryesore. Pa humbur kohë me ministrin e ri të shëndetësisë do të fillojmë një plan të vendosjes nën kontroll të COVID-19 me masat të cilat ulin numrin e rasteve të reja e që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 përqind të popullsisë që do të siguroj imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, deklaroi ai.

Kurti gjatë prezantimit të programit të tij  qeverisë ka thënë se do të punojnë për progres në ekonomi dhe në zvogëlim të papunësisë dhe rritjes së mundësive për të gjithë.

“Unë e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve të vendit sepse kemi papunësi dhe varfëri të lartë por nga sot do të fillojmë rrugëtimin e ri drejt progresit të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshëm por sëbashku do të arrijmë në cakun e dëshiruar. Do të fillojmë me reformën drejtësi. Procesi i vetingut do të fillojë aty ku ka mbetur në pranverën e kaluar. Këtij procesi do t’i nënshtrohen gjykatës, prokurorë, inspektorë dhe drejtues të lartë të policisë dhe inteligjencës”, u zotua Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *