Macron i shkruan Kurtit: Ju siguroj për mbështetjen e Francës ndaj popullit kosovarë, ju mirëpres së shpejti në Paris (Dokument)

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ka uruar atë për postin dhe ka kërkuar që të mos e ndërpresë dialogun me Serbinë.

Macron ndër të tjera në letrën e tij për të diskutuar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi ka ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Francë.

“Ju dërgoj përshëndetjet e mia të sinqerta për formimin e Qeverisë suaj dhe urimin tim për sukses të plotë në kryerjen e detyrave tuaja si Kryeministër i Republikës së Kosovës.”

Macron ka vlerësuar se në vitet e fundit është bërë një përparim i rëndësishëm në dialogun me Serbinë. Ai ka shkruar se shpreson që Kurti ta vazhdojë dialogun, duke i ofruar mbështetjen e Francës.

“Unë dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e Francës për të gjitha këto prioritete, për të mirën e kosovarëve dhe për afrimin të vendit tuaj me Evropën. Unë do të isha shumë i lumtur t’ju mirëprisja në Paris së shpejti për të diskutuar rreth këtyre temave,” shkruhet në letër.

Ndër të tjera ai ka thënë se duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *