“Mal” me mbeturina mes Haraçinës e Likovës

Grumbuj të mëdhenj mbeturinash në deponitë e egra në të gjithë vendin. Komunat thonë se do t’i pastrojnë, por në terren ka kudo mbeturina. Edhe pas më shumë se njëzet vjetësh, dy deponitë e egra në komunat e Haraçinës dhe Likovës janë akoma aty.

Deponitë e egra në këto komuna janë bombë e vërtetë mjedisore. Këtu mund të gjeni pothuajse gjithçka, nga mbeturinat ndërtimore, shishe plastike dhe qelqi, lodra të panevojshme dhe madje edhe mbetje ushqimore. Është e frikshme që këto deponi shpesh digjen, ndërsa tymi është i keq për shëndetin e banorëve përreth.”

Kryetari aktual i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, në gjashtë muajt e parë të mandatit të tij premtoi zgjidhje për deponinë më të madhe të egër në këtë komunë.

…tani po përgatis një projekt kryesor me qëllim që deponinë në fshatin Nikushtak ta rrethojmë me mur në mënyrë që të mos t’i dëmtojmë fushat dhe njerëzit që kalojnë andej’- deklaroi Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Tre vjet pas kësaj deklarate, e njëjta pamje në teren. Tani zgjidhjen e shohin në ndërtimin e deponisë rajonale.

Ne kemi probleme me komunat e Haraçinës dhe Kumanovës të cilët hedhin mbeturina, madje edhe punëtorët që shkojnë të punojnë në Shkup nga Kumanova hedhin mbeturina këtu’ pohoi Fatmir Kasimi – Drejtor i ndërmarrjes komunale në komunën e Likovës.

Nga ana tjetër, edhe kryetarja aktuale e Haraçinës  Milikije Halimi kishte premtim parazgjedhor për deponinë në Komunën e saj.

Premtim zgjedhor programi i vitit 2017 Haraçinë

“Si mund të jetojmë me dinjitet kur përballemi me mbeturina në rrugët tona çdo ditë. Deponia e egër po digjet çdo ditë, helmon pa nevojë të gjithë banorët. Jemi njerëz që jetojmë në shekullin 21, nuk i meritojmë kushtet si në mesjetë”

“As kryetarja e komunës dhe as punonjësit që duhet të merren me këtë problem nga komuna e Haraçinës nuk dëshironin të komentonin se kur qytetarët e Haraçinës do të kenë zgjidhje për deponinë e paligjshme.”

Nga ana tjetër, banorët e komunave po luftojnë me mbeturinat. Ata thonë se po mbyten nga aroma e keqe.

“Problemi është te komuna, ne pastrojmë mbeturinat në fshat. Që nga viti i ri vetëm katër herë i kanë mbledhur mbeturinat nga fshati. I djegin mbeturinat”

“Nuk mund të flemë për shkak të erës së keqe. Shtëpia ime është dhjetë metra larg deponisë. I gjithë fshati vuan nga mbeturinat, nuk ka qenë kurrë kështu. A kemi komunë ose jo, më duket se nuk kemi”

Deponitë e egra do të qëndrojnë në vendin e njëjtë derisa të ndërtohet deponia e premtuar rajonale në Sveti Nikollë për të mbledhur të gjitha mbeturinat nga këto komuna. Disa nga qytetarët do të vazhdojnë të hedhin mbeturina në deponitë ilegale, e disa prej tyre do të kërkojnë burim të ardhurash shtesë duke mbledhur hekurishte.

Andrea Cobanova

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *