Markoviq: Humba punën sepse nuk votova për Adrijana Hoxhiqin

Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Markoviq thotë se kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i kërkoi që të votonte për Hoxhiqin.

Markoviq, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur, punonte për kompaninë e sigurimit fizik “Scorpion” me seli në Ferizaj, e cila është në pronësi të një shqiptari. Vendi i punës së Markoviqit ishte në ndërtesën e komunës së Ranillugut. Komuna është 60 kilometra nga Prishtina.

“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ata më thirrën më 16 shkurt (dy ditë pas zgjedhjeve) për një bisedë me kryetarin. Unë shkova dhe ai më tha: ‘Ku janë votat?’. Unë i thash se nuk mund ta votoja atë, as prindërit e mi nuk donin të votonin (për Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq)”, shtoi ai.

Më 21 shkurt, shtatë ditë pas zgjedhjeve, Markoviq u shkarkua nga kompania e tij e punës. Dokumenti që iu dorëzua atij me atë rast dhe të cilin e ka parë edhe Radio Evropa e Lirë, thotë se punësimi i tij është ndërprerë për shkak të “zvogëlimit të numrit të punëtorëve, sipas urdhërave të komunës së Ranillugut”.

Markoviq shton se kryetari i Komunës së Ranillugut dhe zyrtarët e tjerë shpërndanë fletëvotime me një opsion të vetëm politik, për të cilin u thoshin qytetarëve që të votojnë.

Markoviq nuk është ankuar për vendimin e punëdhënësit dhe nuk është i gatshëm që ta raportojë rastin në polici. Sidoqoftë, ai vendosi të flasë për këtë publikisht për Radion Evropa e Lirë, sepse, siç thotë, ajo që i ndodhi atij është “turp”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *