Mediumi i afërt me Vuçiç-in: Amerikanët dhe britanikët i kanë premtuar Kurtit raketa


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas pretendimeve të mediumit serb “Novosti”, ka zhvilluar takim të fshehtë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, në Prishtinë të enjtën e 22 shtatorit, në kuadër të përpjekjes së tij për të fituar mbështetje drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.


Duke u thirrur në burime diplomatike, aty thuhet se ndër kërkesat e kreut të qeverisë, ka qenë edhe përfshirja e raketave me rreze veprimi deri në 10 kilometra, në pakon e fundit të ndihmës ushtarake amerikane.

Ndërkaq, diplomatët perëndimorë i kanë garantuar Kurtit që këto çështje do t’i shtrojnë tek organet ushtarake dhe politike në Washington dhe në Londër.


“Përfaqësuesi i Amerikës theksoi se kërkesa e Kosovës që ndër të tjera të përfshijë sistemin e mbrojtjes anti-elektronike për bazat e reja në veri të Kosovës – në ndihmat ushtarake të destinuara për to – do të pranohet dhe se SHBA-të do t’i furnizojë me tre sisteme të tilla”, transmeton ‘Novosti’.

Gjithashtu, gjithnjë sipas mediumit, kreu i qeverisë i ka informuar ata se Agjencia e Intelegjencës ka spikatur “një frekuencë të shtuar të njerëzve rreth bazave të sapoformuara të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe se shërbimet e Kosovës vlerësojnë se ky është urdhër i forcave të sigurisë serbe, me qëllim që personat e përmendur të sigurojnë koordinatat e sakta të bazave, në mënyrë që në rast konflikti të bëhen cak i artilerisë serbe”.

“Në fund, Kurti kërkoi nga diplomatët e QUINT-it që forcat ndërkombëtare dhe strukturat e tyre të inteligjencës t’u dorëzojnë institucioneve në Prishtinë koordinatat e vendeve ku janë stacionuar forcat ushtarake dhe policore të Serbisë gjatë patrullimit të tyre ditorë, për të cilat përfaqësuesi i Britanisë së Madhe tha do t’ia përcjellë një kërkesë të tillë autoriteteve kompetente për miratim”. /Albanianpost.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *