Në Kosovë sot vijnë vaksinat nga mekanizmi COVAX

Në Kosovë, të dielën më 28 mars, do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.

Kontingjenti i parë i vaksinave, sipas një njoftimi të kryeministrisë së Kosovës, do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” në ora 20:15.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Albin Kurti, për arritjen e vaksinave kundër koronavirusit, nuk tregohet se sasia e dozave që do të arrijnë në Kosovë. Megjithatë, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se në mars do të arrinin 33.000 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *